Ursula von der Leyen

BE e gatshme të mbrojë ekonominë, i thotë shefja e bllokut Kinës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të hënën se Bashkimi Evropian nuk do të tërhiqet nga marrja e masave të ashpra për të mbrojtur ekonominë dhe sigurinë e saj, mes marrëdhënieve të tensionuara tregtare me Kinën.

“Kina që luan drejt është e mirë për të gjithë ne”, tha ajo pas bisedimeve në Paris me presidentin kinez, Xi Jinping dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Evropa nuk do të lëkundet nga marrja e vendimeve të vështira të nevojshme për të mbrojtur ekonominë dhe sigurinë e saj,” shtoi ajo. “Ne do të mbrojmë kompanitë tona, ne do të mbrojmë ekonomitë tona”.

Von der Leyen theksoi se kishte “çekuilibra që mbeten të rëndësishme” dhe “çështje shqetësuese”.

Ajo veçoi subvencionet kineze për makinat elektrike dhe çelikun që “po vërshonin tregun evropian”.

Kina gjithashtu vazhdoi “të mbështesë masivisht sektorin e saj të prodhimit”, prodhimi i tepërt i të cilit nuk mund të absorbohej nga pjesa tjetër e botës.

Von der Leyen tha gjithashtu se Kina nuk po lejonte kompanitë e BE-së, që të kishin qasje të drejtë në tregun e saj.

Ndërsa ajo shprehu besimin për përparim të mundshëm në bisedime, von der Leyen tha gjithashtu se “ne jemi të gatshëm të përdorim plotësisht instrumentet tona të mbrojtjes tregtare nëse kjo është e nevojshme”, duke shtuar se “Evropa nuk mund të pranojë praktikat e shtrembërimit të tregut”.

Macron kishte bërë më herët presion ndaj Xi në vizitën shtetërore të liderit kinez në Francë, për të pranuar rregullat e drejta të tregtisë globale për shkëmbimet BE-Kinë.

“E ardhmja e kontinentit tonë do të varet shumë qartë nga aftësia jonë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën në një mënyrë të ekuilibruar”, tha Macron.

Më vete të hënën, ministri francez i financave, Bruno Le Maire, tha se Franca dëshironte “një partneritet ekonomik të barabartë dhe solid” me Kinën.

“Aktualisht jemi shumë larg nga një ekuilibër i tillë,” i tha ai një takimi të shoqatës së biznesit francezo-kinez.

Franca kishte një deficit tregtar prej 46 miliardë eurosh (49.6 miliardë dollarë) në vit me Kinën, tha Le Maire.