BE: Dialogu mes Prishtinës e Beogradit mund të nis pas zgjedhjeve në Serbi

Ende nuk ka një datë të saktë se kur mund të rifillon dialogu Kosovë-Serbi.

Këtë nuk e di as Bashkimi Evropian. Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë se beson se dialogu mund të rinis pas zgjedhjeve në Serbi.

“Besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi (21.qershor 2020, shën.red.). Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me virusin Corona. „Korsitë e gjelbra” që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai në një intervistë për DW, shkruan Reporteri.net.

I pyetur se a negociuan SHBA një ujdi mes Kosovës dhe Serbisë, dhe a është SHBA konkurrencë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, komisioneri i BE-së ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për garë.

“Shikoni këtu nuk bëhet fjalë për një garë. Ky problem është shumë më i rëndësishëm, se pyetja, se kush do të marrë kurorën e dafinave në fund me suksesin e negociimit. E rëndësishme është që të kemi një zgjidhje. Ne jemi partnerët strategjikë të SHBA në këtë rajon dhe duhet të punojmë së bashku. Përsa i përket kontributit tim, jam më se i gatshëm që të luaj një rol këtu. Do të angazhohem as më shumë të jetë e mundur”, ka deklaruar ai.