Kremlini dëshiron që publiku rus dhe bashkësia ndërkombëtare të shohë që kanë dështuar përpjekjet perëndimore për ta izoluar Rusinë sherri i luftës në Ukrainë.

Mediat ruse kanë mirëpritur prospektin e marrëdhënieve më të ngrohta me Uashingtonin dhe derdhjen e vrerit ndaj liderëve europianë dhe ukrainas.

“Trumpi e di se do të duhet të bëjë lëshime (ndaj Rusisë), sepse ai po negocion me palën që po fiton në Ukrainë”, shkruan tabloidi rus pro-Kremlinit, “Moskovsky Komsomolets”. “Ai do të bëjë lëshime. Jo në kurriz të Amerikës, por në kurriz të Europës dhe Ukrainës”.

“Për kohë kaq të gjatë Europa është sorollatur, duke e pretenduar veten si bota e civilizuar dhe si Kopshti i Edenit. Ajo dështoi të spikaste se e kishte humbur petkun e dikurshëm… dhe tani këtë e kanë spikatur edhe bashkëluftëtarët e saj të vjetër matanë Atlantikut”.

Në rrugët e Moskës nuk e shoh të njëjtën shkallë kënaqësie.

Në vend të kësaj, njerëzit i kanë bërë sytë katër dhe po presin nëse Trumpi do të jetë miku i ri më i ngushtë i Rusisë dhe nëse ai mund t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“Trumpi është biznesmen. Atij i intereson vetëm si të bëjë para”, më thotë Nadezhda. “Nuk ma merr mendja se gjërat do të jenë ndryshe. Ka tepër shumë për t’u bërë që të ndryshojë situata”.

“Mbase ato bisedime në Arabinë Saudite do të ndihmojnë”, ka thënë Giorgi. “Është e jashtëzakonshme që më nuk do të jemi armiq”.

“Trumpi është aktiv. Energjik. Por, a do të bëjë diçka?” – ka mëdyshje Irina. “Ne ëndërrojmë se këto negociata do të sjellin paqe. Është hapi i parë. Dhe mbase kjo do ta ndihmojë ekonominë tonë. Çmimet e ushqimit dhe produkteve të tjera po vazhdojnë të rriten këtu. Kjo po ndodh edhe për shkak të operacionit special ushtarak (luftës në Ukrainë) dhe të situatës së përgjithshme ndërkombëtare”.

Putini dhe Trumpi kanë folur në telefon; dy ekipet e tyre janë takuar në Arabinë Saudite; një samit presidencial pritet së shpejti, transmeton Kallxo.com.

Por disa ditë më parë, gazeta “Moskovsky Komsomolets” u mundua të merrte me mend çfarë mund t’i kenë thënë liderët njëri-tjetrit gjatë bisedës telefonike të javës së kaluar.

Dhe ja cila ishte linja e rrëfimit, sipas kësaj gazete:

“Trumpi e telefonoi Putinin.

‘Vladimir! Ju keni një vend të mirë dhe unë kam një vend të mirë. Pse nuk ulemi ta ndajmë botën?”

“E çka të kam thënë unë kaherë? Le ta kryejmë këtë punë!…”

A do të na e mbushin mendjen? Mbetet ta shohim.