Rezultatet e pjesshme nga zgjedhjet e përgjithshme në Izrael tregojnë se kryeministri me përvojë, Benjamin Netanyahu, është në avantazh ndaj rivalit të tij, ish-shefit të ushtrisë Gadi Eisenkot, por ende nuk e ka siguruar shumicën në parlament, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Me 85% të votave të numëruara, partia “Likud” e Netanyahut dhe aleatët e saj të ekstremit të djathtë e ultra-ortodoksë hebrenj, pritet të fitojnë 53 vende në Knesset-in me 120 vende. Partia “Yashar” e Eisenkotit dhe tri parti të tjera hebraike opozitare në bllokun e tij, pritet të marrin 48 vende.
Të dy liderët kanë deklaruar se do të përpiqen të formojnë një koalicion qeverisës.
Partitë e udhëhequra nga arabët, të cilat janë në rrugën e duhur për të fituar një numër rekord prej 19 vendesh, mund të jenë vendimtare për formimin e qeverisë; megjithatë, të gjitha partitë hebraike, me përjashtim të njërës, janë zotuar se nuk do të bashkëpunojnë me to.
Duke qenë se ende nuk janë numëruar midis 430,000 dhe 480,000 vota të hedhura nga ushtarë dhe diplomatë që nuk kanë votuar fizikisht në qendrat e votimit, mund të duhet edhe një ose dy ditë derisa të dalin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Pasi të konfirmohen rezultatet, Presidenti Isaac Herzog do të zhvillojë konsultime me të gjitha fraksionet politike dhe do t’i kërkojë liderit që, sipas tij, ka gjasa më të mëdha për sukses, të formojë qeverinë – një proces që mund të zgjasë me javë të tëra.
Nëse dështojnë, atëherë, në fund, do të duhet të mbahen zgjedhje të reja.







