BBC në gjuhën serbe: A do ta njohë Serbia pavarësinë e Kosovës

“Njohje e realitetit, tradhti, epilogu i vetëm i mundshëm…”, me këto fjalë është përshkruar deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Kosova do të arrijë pavarësinë dhe sovranitetin e plotë.

Deklarata e presidentit Vuçiq ka përçarë opozitën, por edhe nga qytetarët në rrjetet sociale. Ndërsa, disa thonë se Aleksandar Vuçiq vetëm po e pranon realitetin, të tjerët e akuzojnë atë për tradhti ndaj interesave të Beogradit dhe thonë se presidenti është duke u përpjekur për të shmangur përgjegjësinë.

Disa analistë, megjithatë deklaratën e presidentit e shohin si një shfryrje të frustrimit dhe paralajmërim të zgjedhjeve të reja në Serbi.

Në një artikull të BBC, edicioni në gjuhën serbe, për zhvillimet e fundit ka folur analisti nga Këshilli për Politika dhe Demokratizim me qendër në Berlin, Kurt Bassauner.

Ai beson Vuçiq është i pakënaqur sepse nga takimet me liderët e rajonit, si dhe me presidentin e Francës dhe kancelaren e Gjermanisë në Berlin, nuk u kthye me mbështetje për një zgjidhje që do të përfshijë shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, përcjell Telegrafi.

“Më duket se kjo deklaratë është pasojë e frustrimit, pasi ai nuk ia doli të arrijë ‘fitore’, por edhe të pozicionohet para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme kundër një opozite të thyer dhe të paorganizuar”, thotë Bassauner për BBC.

Çfarë tha Vuçiqi?

Në Samitin e Berlinit pala serbe dhe shqiptare u takuan për herë të parë pas gjashtë muajsh, kurse takimi ku ishin Vuçiqi dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u udhëhoq nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Të gjithë e duan ofertën më të mirë nga Auto Mita, rikthehet 5-shja perfekte më e fortë se kurrë!
E SPONSORUAR
MËSO MË SHUMË
Pas kthimit nga Berlini, Vuçiq ka thënë për TV “Pink” se ajo që ai ofroi “nuk mundi të kalojë për shkak të presionit të madh të disa vendeve dhe shërbimeve të tyre të inteligjencës, të aktivizuan agjenturat nëpër vende të ndryshme, politike, mediale dhe të tjera”.

Ai tha se ata që e kritikojnë fillimisht thanë se nuk ishin dëgjuar asnjë zgjidhje as propozim prej tij, por sërish e sulmuan.

“Shihe se çfarë hipokrizie është krejt kjo. Thoni se nuk keni dëgjuar çfarë përmban ky propozim. Pajtohem se nuk e keni dëgjuar, por pse atëherë e keni sulmuar?

“Për këtë ma keni hequr kokën në mënyrë metaforike, kurse nuk keni dëgjuar për çfarë bëhet fjalë. Dhe, tani kur them se u rrënua [propozimi], ju thoni se as nuk e kemi dëgjuar. Pse pra sulmuat dhe rrënuat çdo gjë, kurse nuk dëshiruat as ta dëgjoni? “, pyeti Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Ai gjithashtu tha se u organizua dialogu i brendshëm, por se një pjesë e opozitës nuk e ka paraqitur propozimin e saj për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Vuçiq i ka thënë Televizionit N1 se ideja e tij e demarkacionit [korrigjimit të kufijve] definitivisht ka dështuar, dhe se kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë.

I pyetur se për cilën ide bëhet fjalë, ai tha se kjo është “ideja për të cilën jam duke folur gjatë gjithë kohës, për vendosjen përfundimtare të kufirit të kompromisit midis serbëve dhe shqiptarëve”.

Çfarë thotë opozita?

Lideri i Lëvizjes “Dveri” Boshko Obradoviq përmes një postimi në Twitter, Vuçiqin e ka quajtur tradhtar dhe shkroi se “Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur në qoftë se Serbia nuk e njeh”.

Udhëheqësi i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq ka thënë se ‘Vuçiq me deklaratën se ‘ideja e tij e demarkacionit në Kosovë ka dështuar, sepse populli mendoi ndryshe’, i ka dhënë një goditje të rëndë kapacitetit negociator të Beogradit dhe se ka dërguar një mesazh se pala kosovare do të marrë çdo gjë të kërkuar përmes deklaratës të Parlamentit të Kosovës”.

Edhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak ka komentuar deklaratën e Vuçiqit, duke thënë se është hipokrizi kjo që presidentin e Serbisë e akuzojnë se po tradhton për çështjen e Kosovës, dhe se disa nuk e kanë të qartë, e disa bëhen se nuk e kuptojnë se “çështja e Kosovës ka përfunduar në vitin 1999″.

Presidenti i Lidhjes Patriotike të Serbisë (SPAS) Aleksandar Shapiq ka thënë se askush asnjëherë nuk e ka shpjeguar se çfarë do të thotë termi ‘demarkacion’ dhe për këtë arsye nuk e ka komentuar.

Analisti gjerman Bassauner, i tha BBC-së se deklarata e Vuçiqit megjithatë nuk tregon gatishmërinë e Serbisë për ta njohur Kosovën brenda kufijve të saj aktualë.

“Vuçiq asnjëherë nuk ka premtuar publikisht se do ta njohë pavarësinë e Kosovës edhe nëse do të ndodhte korrigjimi i kufirit, sipas të cilit Serbia sërish do ta merrte zyrtarisht kontrollin mbi një pjesë apo tërë veriun e Kosovës, përtej lumit Ibër”, thotë Bassauner.

Deklarata e Vuçiqit ka shkaktuar komente të shumta në rrjetet sociale. Ka të tillë që thonë se Kosova i ka të gjitha atributet e shtetësisë dhe se ajo kaherë është shtet i pavarur.

BBC përkujton se Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 dhe se ajo tashmë është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare.