Baton Haxhiu: Propozimi i Edi Ramës i jep frymëmarrje Albin Kurtit

Analisti Baton Haxhiu, ka thënë se propozimi i draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është frymarrje dhe lehtësim për kryeministrin Kurti.

Në lidhje me këtë, Haxhiu ka folur për ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV.

Ai ka thënë se Rama me propozimin e tij i ka dhënë kohë dhe hapsirë Kurtit pas tensioneve që ka me ndërkombëtarët.

“E para, situata në Kosovë me kryeministrin dhe qeverinë është e tendosur me bashkësinë ndërkombëtare. Ata janë kërcënuar me sanksione, dy sanksionet e para janë përjashtimi nga stërvitja dhe dje njeriu i rëndësishëm që duhej të vinte në Kosovë, nuk ka ardhur. Escobari do të raportojë në Shtëpinë e Bardhë për rezultatet e takimit. Dhe rezultati i takimit kalon në një stad tjetër, SHBA-Europë për pasojat që do të vijnë për qeverinë e Kosovës dhe për popullin e Kosovës, fatkeqësisht që nuk është pjesë në këtë proces, për mungesë rezultatesh”, ka thënë Haxhiu.

“Duke parë këtë Rama e bëri gjestin e një burrështetasi, edhe pse një shumicë e juaja nuk pajtoheni, duke lexuar atë që NATO shkruan, gjërat e rrezikut për sigurinë e Kosovës. Duke dërguar 1 mijë ushtarë turq të NATO atje, të cilët janë të gatshëm të marrin veriun dhe për të siguruar stabilitetin atje, tregon se sovraniteti jonë po kthehet në 2004. Fakti që Rama me gjestin e sotëm e çon procesin e sigurisë në proces politik, duke e larguar nga Lajçaku, Borrelli dhe KFOR-i, tek Solchz dhe Macron tregon se ka pasur vizion politik”, vazhdon ai tutje.

“E treta që dua të them, i ka dhënë frymëmarrje Kurtit, i cili është mbështetur për muri, frymëmarrje për mendim dhe reflektim politik për arsye se e çoi nivelin e diskutimit për një draft-statut i cili nuk është kurrgjë tjetër përveç se një propozim, që shkon tek të dy presidentët dhe këta ta shqyrtojnë që çështja e sanksioneve të shtyhet”, tha Haxhiu.