Baton Haxhiu e quan Haki Abazin “hajdut të përmasave globale”

Baton Haxhiu ka publikuar një shkrim ku e komenton marrëveshjen e Qeverisë Kurti me Serbinë për rrymën në katër komuna në veri të Kosovës.

Haxhiu e kritikon marrëveshjen dhe i quan Kurtin e Bislimin “tradhtarë”.

Mirëpo në shkrimin e tij, Haxhiu etiketon edhe ish-zv.kryeministrin, njëherit deputetin e VV-së, Haki Abazi, si “hajdut të përmasave globale”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar sot vetëm faktit që Albin Kurtit i është përmbushur epshi i papërmbajtshëm për pushtet dhe po i pëlqen hajnia e paskaj në bashkëpunim me Xhelal Sveçlen, Haki Abazin (këtë hajdut të përmasave botërore), Liburn Aliun, Hysen Durmishin, mes shumë të tjerëve.”, shkruan ai.

Tutje Haxhiu shton se kjo “bandë kriminale” ka manipuluar me të rinjtë në Kosovë sa i përket qëndrimit ndaj Serbisë.

“Janë pikërisht kjo bandë kriminale që kanë manipuluar veçanërisht të rinjtë e Kosovës me fushata: bojkotoni produktet e Serbisë, rezoluta kundër importit të prodhimeve serbe, vendosje të reciprocitetit me Serbi, që sot nuk e përmendin fare faktin se kanë thyer çdo rekord sa i përket vëllimit tregtar dhe ekonomik me Serbinë”, shton ai.

Kujtojmë se Abazi dhe Haxhiu ka kohë që kanë raporte antagoniste mes vete.

Abazi kishte kërcënuar Haxhiun para disa muajve për shkak të disa shkrimeve të publikuara në Albanian Post.

Haki Abazi, ka kërcënuar Albanian Post se nëse vazhdohet të raportohet për të ai do të ndërmarr masa të ashpra.

“Do ta bëjë edhe ma zi se në Klan”, ka qenë një nga kërcënimet e Abazit në një incizim telefonik.