Muhamet Hyseni është sensacioni më i madh i Superligës së futbollit kosovar.

Viti 2023 ishte përrallor për sulmuesin e Llapit, i cili arriti të debutonte edhe në Kombëtaren e Kosovës, e madje edhe të shënonte në ndeshjen e madhe me Zvicrën në udhëtim, në kualifikimet e Euro 2024.

Sigurisht, vlera e tij është rritur në mënyrë konstante falë paraqitjeve me ekipin llapjan, por një shtytje e pati edhe falë paraqitjeve të tij me Dardanët.

Hyseni ishte i papërmbajtshëm në sezonin aktual duke i realizuar 14 gola në 20 ndeshje, përfshirë këtu Superligën dhe Kupën.

Dhe, kjo ka bërë që klube të ndryshme evropiane t’ia vënë syrin atij.

Trajneri Tahir Batatina, në një bisedë me “Gazetën Express” tregon se Hysenin e kishin vërshuar ofertat gjatë janarit, e deri para pak ditësh.

Por, në fund bashkërisht palët vendosën që lojtari të mbetet në “Zahir Pajaziti”, së paku deri në fund të këtij sezoni.

“Ne morëm oferta nga Zvicra, Danimarka, Çekia, Ukraina e Polonia për Hysenin”, tregon trajneri llapjan.

Por, ofertat nuk ishin të kënaqshme për klubin kosovar, i cili ishte i prerë me vendimin e tij.

“Ofertat silleshin kah 350 mijë euro. Këtë ofertë na bëri së fundmi edhe Craiova, por ne i kërkonim së paku 600 mijë euro për lojtarin tonë”, vazhdoi tutje Batatina.

“Ne po flasim për sulmuesin më të mirë në ligë. Ne nuk duhet t’ua ulim vlerën lojtarëve të Superligës. Muhameti realisht e ka vlerën 1 milion euro”, u shpreh tutje Batatina.

Hyseni do të mundohet ta ndihmojë Llapin në arritjen e objektivave në pjesën e dytë të sezonit dhe të largohet nga ky klub gjatë verës si kampion i Kosovës.

Batatina beson se gjatë verës, lojtari do të transferohet në një klub evropian nëse llapjanët do të marrin ofertë të kënaqshme.

“Po, sigurt”, përfundoi trajneri llapjan për “Express”.

Ndërkohë, mediat rumune paraprakisht sot shkruan se Craiova i kishte ofruar 250 mijë euro për Hysenin, të cilit i kishin ofruar rrogë prej 10 mijë eurosh në muaj, me një kontratë për tri vjet e gjysmë.

Pasi nuk ndodhi transferimi i tij, klubi rumun e transferoi sulmuesin e Prishtinës, Jalen Blesa