‘Batajnica 744: E vërteta e varrosur’, kujtohen viktimat shqiptare në Beograd

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të Serbisë, ‘Iniciativa për të Drejtat e Njeriut’, ‘Fondacioni për të Drejtat Humanitare’ dhe ‘Gratë në të Zeza’ organizuan aksionin simbolik “Batajnica 744: E vërteta e varrosur”, në kujtim të civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe të cilët ishin varrosur në Batajnicë.

Gjatë aktiviteteve, aktivistë dhe aktiviste mbajtën një shfaqje tek çeshmja e Delisë në rrugën Knez Mihaili, gjatë së cilës në tokë u vendos një letër e bardhë me emrat e viktimave shqiptare të luftës në Kosovë të klasifikuar sipas vendndodhjes nga ku u transportuan në të gjithë Serbinë.

Ata pastaj hodhën dhe mbi atë letër.

Aktivistët më pas shkuan në Shtëpinë e Asamblesë Kombëtare ku deputetëve ia shpërndanë fletëpalosjet ku tregohet për vrasjen e shqiptarëve të Kosovës.

Njëra nga përfaqësueset e shoqërisë civile , Stanislava Stasa Zajoviç, u tha gazetarëve se gjatë bombardimeve të NATO-s të ish-Jugosllavisë e gjithë popullsia ishte e ekspozuar ndaj shkatërrimit dhe dhunës, por regjimi i Sllobodan Millosheviçit kreu spastrimin etnik të popullatës civile shqiptare.

Ajo tha se një nga këto krime ishte zhvendosja e kufomave nga Kosova dhe se Batajnica ishte një nga vendet më të mëdha ku u gjetën mbetjet e 744 shqiptarëve të Kosovës.

Batajnica gjendet në periferi të pjesës veri-perëndimore të Beogradit në Komunën e Zemunit. Në zonën urbane “13 Maji në mes të viteve 2001 dhe 2003, janë zbuluar tetë varreza massive.

Pas zhvarrimit dhe ekzaminimit, mbetjet janë riatdhesuar në Kosovë dhe u janë dorëzuar ZPZHML, e cila konstatoi se ishin 744 trupa.