Basketboll, sot nis edicioni i ri

Ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Lipjanit do ta hapë edicionin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll, ka njoftuar të enjten Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Kjo përballje që i takon xhiros së parë do të zhvillohet të premten (sot) në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë dhe nis në ora 19:00.

Një ditë më vonë, do të zhvillohet ndeshja tjetër, ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Feronikelit në Suharekë prej orës 19:00. Ndërsa, kjo xhiro do të mbyllet të dielën, me duelet Ponte Prizreni – Peja dhe Rahoveci – Sigal Prishtina.

Pasi këtë edicion në Superligë do të marrin pjesë nëntë ekipe, skuadra e Trepçës do të pauzojë në xhiron e parë. “Në këtë edicion do të zhvillohen 36 xhiro gjithsej, derisa dy skuadrat e fundit bien nga elita, kurse skuadra e shtatë e renditjes në Superligë do të takohet me finalistin e Ligës së Parë, për një vend në elitë për edicionin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e FBK-së. Ndërkohë, edicioni i ri në Ligën e Femrave do të nisë muajin e ardhshëm, më 12 tetor.

loading…