Bashkimi Europian ka finalizuar tre hetime ndaj gjykatësit britanik, Malcolm Simmons, i cili ka shërbyer në misionin e monitorimit në Kosovë.
Mirëpo, rezultatet e hetimeve të cilat gjykatësi Simmons i ka quajtur si hakmarrje pasi që ai ka ngritur zërin ndaj gjërave negative, nuk janë bërë ende publike, shkruan Live5news, transmeton KK.

Një zëdhënës i BE-së ka konfirmuar se një bord disiplinor ka përfunduar tre hetime ndaj Malcolm Simmons, mirëpo ka refuzuar t’i bëjë publike konkluzionet e bordit.

Simmons ka thënë se akuzat janë ngritur nga kolegët që ai i kishte denoncuar më herët, duke i quajtur si hetime të njëanshme që janë kryer për t’i penguar përpjekjet e tij ndaj veprimeve të jashtëligjshme.

Misioni i Bashkimit Evropian është i fokusuar në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.

Ky mision ka ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian që nga viti 2008, kur ajo shpalli pavarësinë nga Serbia.