Bashkimi Evropian për kërkesën e Gruevskit për azil: Do të respektojmë vendimin e Hungarisë!

“Nëse Hungaria si vend anëtare e Bashkimit Evropian miraton kërkesën për azil të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, atëherë ky vendim do të respektohet”.

Ky është qëndrimi që zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka bërë publik gjatë një interviste të dhënë për “Pressing TV”.

Sipas Kocijançiç, rasti nuk duhet të politizohet.

“Jemi të vetëdijshëm për situatën në lidhje me Gruevskin”, u shpreh ajo, duke shtuar se Komisioni Evropian nuk komenton procedura gjyqësore që janë në vazhdim.

“Sundimi i së drejtës është parim themelor i BE-së, vendeve anëtare dhe vendeve kandidate. Presim që gjitha palët e interesuara të veprojnë sipas rregullave. Kjo është procedurë gjyqësore që nuk duhet të politizohet”, tha Kocijançiç.

Ndërkohë, mediet në Maqedoni shkruajnë se Gruevski i ka boshatisur llogaritë e tij bankare që në muajin shtator, që përkon me periudhën kur Gjykata e Apelit po diskutonte ankesat e tij dhe kur pritej të merrej vendim përfundimtar nëse ai do të shkonte në burg apo jo. Edhe pse këto informacione janë jo zyrtare, Prokuroria Speciale Publike konfirmoi se nuk ka mundësi që të ngrijë llogaritë bankare të Gruevskit për shkak se aktualisht nuk ka para dhe pronë në emër të tij, ndërsa llogaritë e tij bankare janë zero. Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev tha se pret një shpjegim nga Nikolla Gruevski, por edhe nga Hungaria. Më tej kreu i qeverisë tha se ai është arratisur me veturën diplomatike të ambasadës. Zaev deklaroi se qeveria maqedonase do ti dorëzojë të gjitha dëshmitë që ka në Hungari, por edhe tek Bashkimi Evropian.