Bashkimi Evropian: Është koha për heqjen e taksës

Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimin për heqjen e taksës 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve që hyjnë në Kosovë nga Serbia. Sipas tyre me vendosjen e taksës, Kosova ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s dhe atë të Stabilizim Asociimit, dhe se e njëjta ka vështirësuar edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Këto i deklaruan sot në Kosovë, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister dhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostoplova.

Diplomati McAllister tha se Bashkimi Evropian dhe Federica Mogherini janë të paanshëm dhe qëllimi i tyre është që të kthejnë në tavolinën e bisedimeve Kosovën dhe Serbinë.

Ai theksoi se duan që dialogu të vazhdojë.

“Miq dhe partnerë të Kosovës, Bashkimi Evropian, Parlamenti Evropian e shtetet e Bashkuara, të gjithë po kërkojnë që Qeveria e Kosovës të rikonsiderojë vendimin për vendosjen e kësaj takse sepse në mes të arsyeve të tjera kjo është shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s, dhe po ashtu është shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, andaj ne nuk besojmë që ky është vendimi i duhur, dhe për pyetjen nëse këto tarifa mund të pezullohen, pezullimi i tarifës sipas pikëpamjes sonë do të jetë rruga drejtë progresit, ne kemi qenë shumë të qartë për këtë gjë dhe e kemi përsëritur këtë mesazh në këto dy ditë të takimeve në Prishtinë”, tha ai.

Ndërsa i pyetur për temën e kufijve, McAllister tha se Parlamenti Evropian konsideron që çdo marrëveshje mund të jetë e pranueshme nëse pajtohen të dy palët dhe nëse e njëjta është sipas të drejtës ndërkombëtare.

Ai tha se ka ardhur koha të vazhdojë dialogu dhe se ata e mbështesim fuqishëm këtë.