Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se Bashkim Ramosaj ka marrë besimin e delegatëve për të udhëhequr edhe për një mandat katërvjeçar Degën e Aleancës në Deçan.

Sipas Haradinajt, Kuvendi Zgjedhor i Degës së Aleancës në Deçan është karakterizuar nga një atmosferë unifikuese dhe mobilizim i madh i anëtarësisë.

Ai e cilësoi Deçanin si “shembullin më të mirë të punës, përkushtimit dhe besimit qytetar ndaj Aleancës”, duke vlerësuar lart punën e Ramosajt si kryetar komune dhe transformimin që, sipas tij, ka përjetuar Deçani nën udhëheqjen e Aleancës.

Haradinaj tha se pas përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor, Aleanca do të dalë edhe më e mobilizuar për betejat politike që e presin, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Në fund, ai uroi suksese Bashkim Ramosaj dhe të gjithë kolegëve të Aleancës në Deçan.