Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan ka pranuar sot pajisje dhe aparaturë të reja mjekësore, duke shënuar hapin final për implementimin e projektit të kujdesit paliativ. Projekti, i cili ka rëndësi të veçantë për shëndetin e qytetarëve, është realizuar falë bashkëfinancimit mes Komunës së Deçanit dhe organizatës AQH.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, theksoi se ky hap mundëson funksionalizimin e një shërbimi të domosdoshëm për pacientët që kanë nevojë për kujdes të specializuar dhe dinjitoz. Ai u zotua se shëndetësia do të mbetet një nga prioritetet kryesore të komunës, duke siguruar që çdo qytetar të ketë qasje në shërbime mjekësore cilësore dhe moderne.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i madh drejt përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore dhe ofrimit të kujdesit më të mirë për pacientët në nevojë në Deçan.







