Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq lidhur me çështjen e tokës së Manastiri i Deçanit.

Reagimi i Ramosajt vjen pasi Rashiq deklaroi se kryeministri Albin Kurti i kishte thënë se, falë tij, po merrej vendimi për transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.

Përmes një postimi publik, Ramosaj ka kritikuar ashpër Kurtin, duke thënë se nuk është i befasuar me vendimet e tij.

“Personalisht nuk çuditem me veprimet dhe vendimet e këqija të Albin Kurtit, në fakt ka vepruar me logjikën anti-shtetërore mbi të cilën është ngritur ky mashtrues. Sherrin kemi me ja pa edhe më tutje”, ka shkruar Ramosaj.

Deklaratat e fundit lidhur me çështjen e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit kanë nxitur reagime të shumta nga përfaqësues të partive politike dhe zyrtarë institucionalë në Kosovë.