Shukrije Ramadani

Bashkëshortja e Agim Ramadanit: Ëndërruam bashkë që një ditë Kosova ta ketë ushtrinë

Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Heroit të Kosovës, Agim Ramadani, ka thënë se pamje me plotë ushtarë në Kazermën “Adem Jashari”, është plotësim i një ëndrre shekullore. Ajo për Ekonomia Online, ka thënë se kanë besuar së bashku me bashkëshortin e saj që një ditë Kosova do ta ketë ushtrinë.

Gjatë vizitës që ka bërë në kazermën “Adem Jashari” me rastin e Ditës së Forcës, Ramadani u shpreh e lumtur dhe plotë emocion.

Ndonëse thotë se nuk është e plotësuar për shkak të mungesës së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, ndjehet krenare dhe e plotësuar shpirtërisht.

“Kjo për mua është një plotësim i një ëndrre, një ëndrre shekullore që e kemi pasur me shumë gjenerata dhe sot kur jam këtu edhe pse më mungon pjesa ime më e dashur, besomëni që e ndjej vetën aq krenare dhe të plotësuar sa s’mund ta marrë me mend askush. Është plotësim i ëndrrës së çdo shqiptari që ka ëndërruar që kjo ditë të vije dhe t’i bashkëngjitet popullit tonë, të kemi një ushtri tonën, një forcë mbrojtëse të sigurisë dhe ja ku e kemi, të plotësuar, të modernizuar dhe shumë në hapa të sigurt drejt së ardhmes dhe sigurimit të gjeneratave të reja”, thotë Ramadani për EO.

Ajo ka treguar një bisedë që kishte me bashkëshortin e saj, Agim Ramadani.

“Agimi ka qenë i bindur në këtë dhe njëherë kur e kam pyetur në telefon dhe më tha ‘ne do t’i kemi forcat tona mbrojtëse, do t’i kemi forcat tona të armatosura’ dhe më besoni në momentin kur NATO i ka sulmuar forcat serbe, atëherë më ka thirr (Agimi) në telefon dhe ka thënë ‘dëgjoje, ky është zëri i lirisë, ky është zëri i sigurisë sonë që do ta kemi në Kosovën e lirë’. Ka besuar në çdo moment edhe para se të fillonte lufta edhe gjatë luftës dhe deri në momentin e fundit ku ka shkuar me atë shpresë se do t’i kemi forcat tona”, u shpreh Ramadani, teksa shpreh bindjen se ka besuar në lirinë e Kosovës.

“Unë e kam besuar, ngaqë e kam ditur që është ëndërr e shumë gjeneratave të mëhershme dhe më në fund erdhi momenti i fundit kur patëm përkrahje edhe nga ShBA-ja, Evropa dhe të gjitha vendet liridashëse që na ndihmuan dhe e dija që vërtetë ky do të jetë momenti vendimtar që ne do ta plotësojmë një ëndërr shekullore”, thotë Ramadani.