Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë| Shumë fjalë, pak punë

Ballkani i Hapur është nyja e pakapërcyeshme në raportin Rama-Kurti. Të dy Kryeministrat janë pajtuar me këtë papajtueshmëri, ose siç e tha Edi Rama shtatorin e vitit të kaluar në Prishtinë, ‘për Ballkanin e Hapur ranë dakord për të mos rënë dakord’.

Ata e kanë shmangur e lënë mënjanë këtë çështje, ndoshta për momentin, për t’u përqendruar e diskutuar për raportet mes dy vendeve.

“Që të mos krijohet përshtypja që ne aty kemi folur vetëm për Ballkanin dhe Serbinë. Kryeministri Edi Rama ishte thuajse me gjysmën e Qeverisë së tij, po ashtu edhe unë kisha thuajse gjysmën e kabinetit qeveritar. Për një orë e gjysmë ministrat diskutuan me njëri-tjetrin. Kemi shumë për të diskutuar bashkë dhe në këtë takim është folur për Kosovën dhe për Shqipërinë dhe si të ecim përpara në marrëdhëniet tona”, deklaronte Albin Kurti në mbyllje të takimit me Ramën në Prishtinë në 27 shtator 2021.

Rama ja përforcoi idenë.

“Se mos mendoni se kanë folur vetëm ministrat dhe ne të dy (Rama e Kurti) nuk flasim me njëri-tjetrin e thoni këta të dy nuk flaskan bashkë. Është krejt e kundërta”, tha Rama.

Si mund të ecet përpara bashkë? Albin Kurti përmendi katër liritë e nismës së Ballkanit të Hapur, që theksoi se fillimisht duhen realizuar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kemi mundësi e potencial për të realizuar projekte që priten nga qytetarët e dy vendeve. Duhet të rrisim bashkëpunimin, ndërlidhjen mes dy vendeve për heqjen e barrierave që shkaktojnë vështirësi dhe pengesa mes nesh, sepse është e domosdoshme për qytetarët që të përfitojnë. Ne duhet të punojmë që kapitali, mallrat, njerëzit dhe shërbimet të lëvizin sa më shpejt mes dy vendeve tona”, deklaronte Kurti.

“Ballkani i Hapur, kemi mosdakordësi me Albinin, por duhet ta trajtojmë në mënyrë politike. Marrëdhëniet tona nuk ndikohen nga mosdakordësia për këtë çështje. Tani jam edhe më i bindur se sa isha që Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët. Jam edhe më i bindur sot që Ballkani i Hapur është i vetmi drejtim strategjik që të mos ngecim në mënyrë ciklike në baltën e së shkuarës dhe ku i marrim potencialit tonë si komb shqiptar maksimumin”, tha ai.

Por, sa është shfrytëzuar ekonomikisht ky potencial?

Që kur Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë nisën mbledhjet e përbashkëta në vitin 2014, janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje bashkëpunimi që përfshijnë të gjitha fushat. Por, slogani “dy shtete, një komb” ka përparuar ngadalë. Komuniteti i biznesit në të dyja anët e kufirit ka ngritur prej kohës shqetësimet për barrierat tarifore, procedurat burokratike dhe konfliktet tregtare, që mbeten të njëjta.

Rekordet historike të INSTAT për bashkëpunimin tregtar sugjerojnë se vetëm Rruga e Kombit ka rritur fort shkëmbimin mes dy vendeve, ndërsa mbledhjet e përbashkëta të qeverive dhe moria e marrëveshjeve të nënshkruara nuk ka pasur as një të tretën e efektit të kësaj rruge, shkruan Gazeta Si.

Nga 2007 deri në 2013 volumi tregtar mes dy vendeve u rrit me 155 për qind, ndërsa nga 2014, kur nisi mbledhja e dy qeverive, deri në 2021 rritja është me 45 për qind. Përveç kësaj, të paktën të dhënat e vitit 2020 sugjerojnë se Ballkani i Hapur ka pasur një ndikim negativ. Në këtë vit, volumi tregtar Shqipëri-Kosovë ra me 7.7 për qind, ndërsa volumi tregtar Shqipëri-Serbi u rrit me 3 për qind.

Shoqatat e organizatat e bizneseve në Shqipëri e Kosovë fajësojnë barrierat tarifore dhe jotarifore me Kosovën, që kanë mbetur të njëjta në pesë vitet e fundit, megjithëse qeveritë e dy shteteve kanë shprehur vullnetin politik për zgjidhjen e tyre.

Eksportuesit e Kosovës ankohen se paguajnë tarifë për skanimin te pala shqiptare, nuk njihen analizat fitosanitare të përbashkëta dhe paguajnë edhe për terminalet doganore. Rëndimi të klimës i kanë shërbyer edhe dy vendime qeverie, një në Prishtinë dhe një tjetër në Tiranë. Kosova ka vendosur prej 8 vitesh një tarifë 40 euro për çdo natë qëndrimi të kamionëve nga Shqipëria, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme kostot për eksportuesit shqiptarë, ndërsa Shqipëria aplikon po prej 8 vitesh tarifën e skanimit prej 22 euro për çdo deklaratë doganore.

Këtyre kostove u shtohet edhe kostoja e traut në Rrugën e Kombit, që varion nga 5 deri në 23 euro për mjet.