Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pas raportimeve se testet PCR për Sars-Cov-2 të cilat po bëhen në laboratorin privat “Medical & Laboratori Services”, që është në pronësi të vajës së Blerim Devollit, po iu kushtojnë qytetarëve kushtojnë 200 euro.
Gashi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se MSH-ja duhet urgjentisht të largojë monopolin në tregun për testimet e PCR dhe që të mos lejojë vetëm operimin e vetëm një kompanie.
“Ministria e Shëndetësisë duhet urgjentisht ta liberalizoj tregun për testet PCR për Sars-CoV-2 dhe të mos lejoj kundërligjshëm operimin e një kompanie të vetme në treg për këto teste!”, ka shkruar Gashi.
Lidhur me çminim e lartë, prej 200 eurove, që laboratori privat “Medical & Laboratori Services”, u kërkon qytetarëve për testin për Covid-19 ka pasur reagime të shumta.
Gjatë ditës Ministria e Shëndetësisë në sqarimin e saj e ka arsyetuar laboratorin duke thënë se testi që është realizuar në këtë laborator është një lloj tjetër më i shtrenjtë dhe varet prej qytetarëve nëse duan ta bëjnë apo jo.
Kjo ministri deri më tani nuk ka arritur të shtojë numrin e testeve PCR në laboratorët publik, ndërsa ka licencuar 118 institucione private, dy prej të cilave për PCR. Laboratori i kolegjit UBT ende nuk ka filluar me testime për shkak se nuk ka arritur të realizojë veprimtarinë në përputhje me licencën që ka marr.







