Basha: Protestuesit nuk erdhën për dhunë, të qëndrojnë të bashkuar

Kryetari i Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar, Lulzim Basha, në një prononcim të shkurtër për mediat nga bulevardi Dëshmorët e Kombit tha se për shkak të skenarit ogurzi gjendja ka dalë jashtë kontrollit.

“Kordoni i policisë u ça pas një përpjekjeje fare të lehtë të banorëve të Unazës. Kordoni i policisë u ça që të përdorej dhuna dhe gazi lotsjellës. Këto blegërima që dëgjoni janë pjesë e një skenari kriminal të policisë. Të vënë nën urdhrat e Edi Ramës për të shkaktuar një gjendje të tillë.

Protestuesit kishin ardhur për të demonstruar paqësisht, pa dhunë, në qendër të sheshit po flisnin qytetarët. Për shkak të skenarit të tyre ogurzi gjendja ka dalë jashtë kontrollit dhe nuk duket asnjë polic askund. Nuk marrin asnjë kontakt me organizatorët e protestës, por vazhdon ti fryjë skenarit të përplasjes dhe dhunës me këto mesazhe idiote. Policia nuk po zbaton ligjin, policia e ka thyer ligjin.”

Në një tjetër prononcim rreth otës 14:00, Basha tha se protestuesit nuk erdhën për dhunë dhe u bëri thirrje të rrinë të bashkuar.

“Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune. Ju e dini fare mirë se si organizohen protestat e dhunshme. Asnjë prej protestuesve këtu nuk erdhi për të kryer akte dhune. Ato u provokuan dhe u nxitën nga një skenar i mirëmenduar i Edi Ramës dhe i ekzekutuar nga një grusht policësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin. U bëj thirrje të gjithë efektivëve të policisë të ruajnë qetësinë sikundër, u bëj thirrje qytetarëve të vazhdojnë të rrinë të bashkuar për të drejtat e tyre.