Barrikadat dhe vendosja në gatishmëri e ushtrisë serbe jehon në mediat e huaja

Mediat e ndërkombëtare i kanë kushtuar një vëmendje të madhe vendosjes së dy barrikadave të reja mëngjesin e sotëm, në veri si dhe vendosjes në gatishmëri të ushtrisë serbe.

Mediat botërore raportojnë se Serbia të hënën vendosi trupat e saj të sigurisë në kufirin me Kosovën në “gjendjen e plotë të gatishmërisë luftarake”, duke injoruar thirrjet e NATO-s për qetësimin e tensioneve midis dy vendeve.

Reuters shkruan se Serbët protestues në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës, në Kosovën veriore, vendosën barrikada të reja të martën, disa orë pasi Serbia tha se e ka vendosur ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë luftarake pas javëve të tensioneve eskaluese mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërsa, BBC shkruan se ushtria serbe thotë se është në “nivelin e saj më të lartë të gatishmërisë luftarake” pas disa javësh të përshkallëzimit të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se do të “marr të gjitha masat për të mbrojtur popullin tonë dhe për të ruajtur Serbinë”.

Ngjarjet në veri kanë zënë vend edhe në ballinën e The Guardian, ky medium shkruan se forcat e armatosura serbe ishin në “nivelin më të lartë” të gatishmërisë, tha ministri i mbrojtjes Milos Vuçeviç, duke theksuar marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara të vendit ballkanik me Kosovën fqinje për shkak të të shtënave dhe bllokadave të fundit.

Ndërsa, Deutsche Welle shkruan se tensionet ndërmjet serbëve shqiptarëve në Kosovën po rriten, më shumë se dy dekada pas luftës brutale në Kosovë. Në Kosovë ka trupa të NATO-s dhe liderët e BE-së kanë bërë thirrje për përmbajtje.

Kurse, Al Jazeera e nis shkrimin e saj me kërcënimin e Serbisë me ushtri. “Serbia i ka vendosur forcat e saj të sigurisë në kufirin me Kosovën në “gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake”, kanë thënë zyrtarë të lartë, në mes të marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara me fqinjin e saj pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian dhe NATO për zbutjen e tensioneve”.

Edhe Washington Post shkruan se Serbët të martën ngritën më shumë postblloqe në veri të Kosovës dhe kundërshtuan kërkesat ndërkombëtare për të hequr ato të vendosura më herët, një ditë pasi Serbia vendosi trupat e saj pranë kufirit në një nivel të lartë të gatishmërisë luftarake.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiq ka bërë të ditur se “ka urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake” të policisë dhe njësive të tjera të sigurisë. Ai në një deklaratë ka thënë se ka vepruar me urdhër të presidentit serb Aleksandar Vuçiq që “të merren të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në Kosovë”.

Të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it derisa në një komunikatë për media bëhet e ditur se palët janë marrë vesh për heqjen e barrikadave dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes. Institucionet në Kosovë kanë thënë se janë duke pritur KFOR-in për heqjen e barrikadave, përndryshe kanë kapacitetet e plota për t’i larguar vet ato. KFOR-i në anën tjetër ka deklaruar se ato duhet të hiqen me dialog.

Në një intervistë të realizuar të shtunën për mediumin boshnjak, Kurti ka thënë se ka ardhur koha që KFOR-i ta dëshmojë veten për çështjen e lirisë së lëvizjes. Kurti ka thënë se i vjen keq që KFOR-i po e shtyn heqjen e barrikadave.

Përgjatë këtyre 18 ditëve që prej vendosjes së barrikadave nuk kanë munguar as sulmet. Një polic i Kosovës është plagosur, disa ekipe të mediave janë sulmuar. Gjithashtu është raportuar edhe për sulm ndaj një ekipi të EULEX-it dhe tash së fundmi edhe ndaj një ekipi të KFOR-it.

Disa rrugë në veri të vendit janë bllokuar nga barrikadat e vendosura prej serbëve lokalë, pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, të dyshuar për sulm ndaj Policisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. /Demokracia.com/