Barometri i Ballkanit: Papunësia, problemi më i madh në Kosovë e Mal të Zi

Shqetësimi më i madh ekonomik i qytetarëve të të gjitha shteteve ballkanike është situata ekonomike.

Barometri i Ballkanit në anketën e vitit 2022 ka vërejtur se vështirësitë ekonomike janë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve në rajon.40% e qytetarëve nga Kosova e kanë renditur si problemin më madhor situatën jo të mirë ekonomike, kundrejt 59% të të anketuarve në Shqipëri, 41% të boshnjakëve, 57% e maqedonasve, 41% e malazezëve dhe 46% e serbëve që menduan në këtë mënyrë. Ndryshe nga rajoni, qytetaret e Kosovës dhe Malit të Zi e konsiderojnë si problemin më të madh në ekonominë e tyre, veçanërisht papunësinë.

Situata jo e mirë ekonomike është një realitet edhe për qytetarët që kanë një punë në Ballkan. Kjo për faktin se vendet e rajonit dhe sidomos Shqipëria vuajnë nga mungesa e produktivitetit në ekonomi, që është bërë shkak për pagesa të ulëta, shkruan Monitor.

Pas situatës jo të mirë ekonomike, papunësia është shqetësimi i dytë më i madh në aspektin ekonomik në vendet e rajonit, por në Kosovë dhe Mal të Zi është shqetësim kryesor.

Pas situatës së vështirë ekonomike dhe papunësisë, shqiptarët e konsiderojnë si problemin e tretë me të rëndësishëm emigracionin dhe sidomos ikjen e trurit.

29% e shqiptarëve mendojnë se emigracioni është shqetësues për perspektivën ekonomike të vendit. Në vendet e tjera të rajonit përqindja e njerëzve që e konsiderojnë emigracionin si problem për ekonominë është më e ulët.

Në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, 20 e qytetarëve e konsiderojnë problem të madhe ekonomik sistemin shëndetësor.

Zhvillimi ekonomik dhe papunësia mbeten dy pengesat më urgjente në rajon, konsideron Barometri i Ballkanit. Situata aktuale ekonomike konsiderohet sfida më e madhe nga 47% e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, papunësia është më e dëmshme për ekonominë, sipas 39% të të anketuarve. Korrupsioni renditet sërish i treti me 27%, ndërsa pesha e tyre që e shohin emigracionin si një trend negativ është në rritje (18%, nga 13% në 2020).

Besimi në përfitimet socio-ekonomike të anëtarësimit në BE është mbizotërues në rajon, me 60% që e miratojnë pranimin.