Champions League

Barcelona rrezikon të përjashtohet nga Liga e Kampionëve, mësohet koha kur UEFA do të marrë vendim

Skuadra e Barcelonës rrezikon të përjashtohet nga Champions League. Lajmin e ka konfirmuar gazeta gjermane “Welt am Sonntag”. Sipas medias gjermane, sanksioni i mundshëm ndaj Barcelonës nga UEFA lidhet me mosrespektimin e ‘Fair Play’-it financiar nga klubi katalanas.

Bëhet fjalë për disa llogari të dyshimta në lidhje me rritjen e të ardhurave që ka pasur klubi katalanas, përveç lëvizjeve të zakonshme të një klubi futbolli.

Ndërsa media spanjolle ‘Marca’ shkruan se, Barcelona së bashku me nëntë klube të tjera evropiane të nivelit të lartë, përfshirë PSG-në, Manchester Cityn dhe Milanin, janë duke u hetuar për mospërputhje me rregulloret financiare të vendosura nga UEFA për të qenë në gjendje të marrin pjesë në garat e organizuara prej saj.

Barcelona në një njoftim ka deklaruar se nuk di asgjë për këtë situatë, por gazeta spanjolle ka mundur të sigurojë që zgjidhja e çështjes, ajo e Barçës dhe e pjesës tjetër të ekipeve nën hetim, të arrijë në shkurt 2024.

Ajo që po ndodh tani janë thashetheme apo rrjedhje informacioni të bëra me ndonjë qëllim dhe që kanë mbërritur menjëherë pas vendimit të Gjykatës Evropiane për pozitën dominuese të UEFA-s.

Vendimi nëse Barcelona do të përjashtohet nga gara më e madhe për klube, pritet të merret në muajin shkurt.