Baraliu: Edhe nëse kalon mocioni i LDK’së, Thaçi duhet t’i kërkojë prapë Kurtit ta bëjë qeverinë e re

Pas vendimit që mori të mërkurën shefi i ekzekutivit, Albin Kurtit për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, partia e këtij të fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka nisur mocion votëbesimi për rrëzimin e Qeverisë “Kurti”.

Në këtë rast, Kuvendi i Kosovës do të ketë rëndësinë më të madhe pas mbledhjes së 40 nënshkrimeve të iniciuara nga LDK-ja për rrëzimin e Qeverisë.

Njohësi i Kushtetutës së Kosovës, Mazllum Baraliu, duke cituar nenin 100 të Kushtetutës së Kosovës, ka deklaruar se në një afat prej më së largu 5 ditësh pas dorëzimit të mocionit në Kuvend, duhet të thirret seanca për rrëzimin e Qeverisë.

“Neni 100 i Kushtetutës së Kosovës është i qartë lidhur me këtë çështje. Sipas dispozitave të po këtij neni, do të duhej që të mblidhen të paktën një e treta prej 120 deputetëve që pajtohen për ta adresuar drejt Kuvendit një mocion mosbesimi. I njëjti në bazë të paragrafit të tretë nenit 100 të Kushtetutës së Kosovës, në një afat prej më paku dy ditë e më së shumti pesë ditë të dërgohet në Kuvend. Kuvendi pastaj ka për detyrë që brenda një afati të provohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë”, ka thënë Baraliu.

Ai thotë se në bazë të dispozitave të Kushtetutës së Kosovës që lidhen respektivisht me çështjen e mocionit të mosbesimit të Qeverisë, LDK-së do t’i duhen pastaj 61 vota në Parlament për të kaluar mocionin e votëbesimit.

“Në qoftëse kalon me 61 vota për rrëzimin e Qeverisë, dhe Qeveria konsiderohet e dorëhequr”, ka sqaruar Baraliu.

Në rast se propozimi i LDK-së nuk arrin të votohet me 61 vota, ky propozim do të dështojë dhe nuk mund të përsëritet në një afat prej tre muajsh.

“Nëse nuk kalon propozimi i deputetëve në këtë rast edhe i subjektit politik LDK-së, në parametrat që përmenda, atëherë mocioni dështon dhe nuk mund të përsëritet edhe për 90 ditë të tjera. Vetëm pas 3 muajve mund të përsëritet i njëjti nga ky subjekt politik, respektivisht nga deputetë që i mbledh LDK-ja, potencialisht nënshkrime, ose nga ndonjë tjetër politikë, do të thotë nga të paktën 40 deputetë me nënshkrimet e tyre”, ka thënë Baraliu.

Por, edhe nëse kalon mocioni i LDK-së, sipas Kushtetues është Albin Kurti ai i cili prapë e ka primatin për të propozuar emrin për kryeministër të Kosovës.

“Presidenti i vendit e ka obligative që përsëri për të mos shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme se ato nuk mund të mbahen në një gjendjeçfarë është pandemia botërore, atëherë do të duhej që partisë me numrin më të madh të votave Vetëvendosje dhe Albin Kurtit si mandatar për kryeministër të ia ofrojë mundësinë të konsultohet me subjektet tjera politike ta bëj një kombinim tjetër dhe atëherë mund të kemi një Qeveri tjetër”, tha Baraliu.

E, nëse edhe në këtë rast nuk formohet Qeveria e re, atëherë Presidenti në një afat prej 45 ditësh duhet ta shpërbëjë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Nëse dështon bërja e Qeverisë,atëherë Presidenti i vendit patjetër duhet në një afat prej 45 ditësh ta shpërbëj Parlamentin do të thotë në një afat prej 45 ditësh ta shpallë ciklin tjetër të zgjedhjeve të parakohshme dhe të jashtëzakonshme”, tha Baraliu.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pas mocionit, Presidenti ka dy zgjidhje që ia ofron akti më i lartë juridik: t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, ose të kërkojë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Kurti që ta japë emrin e kandidatit për kryeministër të ri.