Banorët e veriut rrinë të uritur nga frika

Shtypi, bizneset dhe qytetarët në pjesën veriore të Kosovës janë mobilizuar për ta improvizuar katastrofën humanitare nën direktivat e Beogradit. Qytetarët serbë po vazhdojnë ta injorojnë ndihmën e Qeverisë së Kosovës për t’u furnizuar me mall ndonëse shfaqen të shqetësuar se së shpejti do t’u mbarojnë rezervat ushqimore.

Me të hyrë në veri të Mitrovicës disa fëmijë shpërndanin falas gazetën serbe “Jedinstvo”, e cila në faqen e parë të saj shpërfaqte propagandën për katastrofën humanitare në këtë pjesë të vendit.

Dyqane, restorante e çdo objekt tjetër shërbimi qëndronin të mbyllura.

Sheshi ishte i qetë dhe me pak njerëz, të cilët gjatë gjithë kohës ankoheshin për mungesë të ujit dhe të ushqimit.

Disa prej tyre fajësonin shqiptarët e Mitrovicës së Jugut se ua kanë ndërprerë ujin, teksa qëndronin ulur në karrige të kafeneve ku nuk kishte as shërbime e as shërbyes.

Marketeve ushqimore ua kishin vënë drynin ndonëse që nga jashtë shiheshin raftet të mbushura me mallra.

Qytetarët serbë të asaj pjese të Mitrovicës i ndanë vetëm ura e Ibrit për t’u furnizuar me produkte në Mitrovicën e Jugut, por ata po kundërshtojnë një gjë të tillë nga “frika”, siç thonë prej shqiptarëve, por edhe prej serbëve.

Një qytetar serb i veshur me rroba punëtorësh teksa po hante në këmbë një sandviç u shpreh se as gjatë kohë së luftës nuk ka qenë më keq.

“Luftë ka qenë, por nuk kemi qenë në këtë gjendje. Në atë kohë së paku kemi pasur bukë dhe ujë. Tani kemi blerë miell, vaj e kripë me shumicë, por nuk e dimë se kush do të na ndihmojë kur të na harxhohen rezervat”, theksonte ai gjersa shtoi se ka frikë për të shkuar në jug të Mitrovicës për të blerë ushqim.

“Për të shkuar në jug dhe për të blerë ushqim kemi frikë, pak prej shqiptarëve e pak prej serbëve. Urojmë ta kemi shëndetin dhe të shpresojmë që të përfundojë sa më parë, por nuk e dimë se si do t’i dalim në fund”.

Në mes të sheshit dhe në pikë të diellit teksa kthehej nga Mitrovica e Jugut me dy qese në duar ku mbante perime dhe bukë një qytetar serb rreth të shtatëdhjetave u ballafaqua me tonin e lartë të një qytetareje serbe.

“Ku i keni blerë këto, keni qenë poshtë?”, pyeste ajo duke i kërkuar llogari për ushqimin e blerë në dyqanet ushqimore që qëndronin të hapura në jug të Mitrovicës.

“Po, kam blerë poshtë dhe nuk ka kush të më ndal”, përgjigjej pensionisti serb, i cili theksonte se po irritohej nga aktrimi i bashkëqytetares së tij. Ai deklaronte se nuk ia kishte frikën askujt dhe nuk do të bëhej pjesë e propagandës së Serbisë, e cila do t’i dëmtojë serbët e veriut që tashmë janë manipuluar me këtë krizë të rrejshme.

“Gjatë gjithë jetës sime kam punuar drejt dhe drejt do të punoj për sa kohë që jetoj. Këtu nuk ka krizë humanitare, këto janë lojëra politike nga të cilat qytetarët serbë janë manipuluar dhe do t’i vuajnë pasojat për këtë. Irritohem me këtë aktrim dhe me këtë propagandë të bashkëqytetarëve të mi”, shprehej qytetari gjersa u propozonte serbëve ta ndalin këtë inskenim, të cilin e quante të turpshëm.

Kamionët plot mall, por pa konsumatorë

Në lagjen shumetnike në veri të Mitrovicës, e quajtur “Lagjja e Boshnjakëve”, Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës kishin vendosur dy kamionë të mëdhenj të mbushur me mallra ushqimore.

Në afërsi të tyre qëndronte Dritëro Balaj, i cili improvizonte shitësin dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës priste për konsumatorë. Por serbët e frikësuar dhe të kërcënuar nga afaristët e veriut nuk afroheshin te kamionët me mallra.

“Pikat mobile të shitjes janë vendosur që nga e hëna, mirëpo gjatë kohës sa kam qëndruar nuk ka pasur interesim të qytetarëve për të blerë”, deklaroi Balaj. “Në këto qendra të shitjes qytetarët mund të blejnë me çmime si nëpër dyqane”, vazhdoi ai derisa tregonte se këto pika të shitjes do të qëndrojnë hapur për çdo ditë që nga mëngjesi deri në orën 16:00.

Njëjtë si në “Lagjen e Boshnjakëve” Ministria e Tregtisë ka vendosur pika mobile të shitjes edhe në Leposaviç dhe në Zubin Potok, të cilat pritet të qëndrojnë për së paku deri në dy javë.

Ndihmësi i drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se dërgimi i dy kamionëve me mallra në veri gjatë ditës së djeshme është qasje kontrabanduese e Haradinajt dhe paraqet provokim.

“Ata dy kamionë nuk janë ndihmë, por mashtrim. Këtë e di populli ynë në Kosovë, i cili ka refuzuar atë çfarë janë duke e bërë Haradinaj, Thaçi e Veseli, të cilët shtinë automjetet që furnizojnë me artikuj elementarë qytetarët, madje edhe i arrestojnë. Në kushte të tilla bizneset në veri nuk mund të punojnë dhe gjendja ka ardhur buzë katastrofës”, ka thënë Petkoviq.

Haradinaj: Vuçiqi, skenaristi i “krizës humanitare”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq si ideator të “katastrofës humanitare në veri të Kosovës”. Megjithëse e konsideron inskenim, Haradinaj shprehet se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbrojë qytetarët e saj duke ua siguruar tregun.

“Është një skenar tepër primitiv i shekujve të kaluar, është e pabesueshme që ende në Serbi ka këso lloj logjike. Presidenti Vuçiq është ideator dhe zbatues i këtij skenari. Suspendimin e taksës Vuçiqi po mundohet ta arrijë me destabilizim të veriut, në fillim duke improvizuar krizë humanitare e më pas gjoja daljes në ndihmë duke bërë një pushtim humanitar në veri. Unë sot e kam lutur Vuçiqin si fqinj që të mos e zbatojë këtë skenar prej të cilit nuk ka se si të fshihet, është përgjegjës dhe e gjithë bota e di këtë”, ka thënë Haradinaj.

Për shkak të kësaj situate në komunat veriore të Kosovës, Haradinaj ka zhvilluar edhe një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me shefen e Zyrës së BE-së në Prishtinë, të cilët i ka njoftuar për angazhimin e Qeverisë dhe për veprimet e saj për furnizim të qytetarëve të asaj ane me artikuj të nevojshëm.

Ndërsa ministri i Tregtisë dhe i Industrisë së Republikës së Kosovës, Endrit Shala, ka thënë se asnjë kamion serb me mallra të Serbisë nuk mund të hyjë në Kosovë pa paguar taksën 100 për qind, përveçse nëse ato janë mallra me karakter humanitar, por që në veri nuk ka krizë humanitare.

“Si krizë humanitare po përpiqet ta paraqesë Serbia. Ne i jemi përgjigjur atij skenari. Dje, sot dhe çdo ditë do të jemi atje, do të dërgojmë artikuj të nevojshëm me qëllim që të gjithë qytetarët të cilët janë viktimë e këtij plani serb për krizë humanitare të kenë mundësi të furnizohen”, ka thënë ministri Shala.

Kisha Ortodokse Serbe hap pika humanitare në Mitrovicë dhe në Zveçan

Pjesë e skenarit për “katastrofë humanitare” në komunat veriore të Kosovës është bërë edhe Kisha Ortodokse Serbe. Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit (DRP) i dërgoi dje një apel urgjent gjithë Eparkisë së Kishës Ortodokse Serbe dhe organizatave humanitare për të organizuar mbledhjen e ndihmave humanitare për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës.

“Situata aktuale prek popullatën më të varfër dhe sociale, e cila nuk ka asnjë mënyrë për furnizimin me mallra më të shtrenjta nga jugu i Kosovës, as për të udhëtuar jashtë saj dhe mallrat në sasi të vogla t’i transportojë në shtëpi”, thuhet në apelin e Dioqezës së Rashkës dhe të Prizrenit të nënshkruar nga peshkopi Teodosije, ku shtohet se nëse kjo situatë vazhdon mund të shkaktojë emigrim të popullsisë.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit do t’i hapë dy pika humanitare kishtare në veri, në Tempullin e Shën Demetrius në Mitrovicë dhe në Manastirin Banjska në Zveçan. /ZERI/