Banorët e lagjes “Taslixhe” rrezikohen nga ujërat e zeza(FOTO)

Banorët e lagjes Taslixhe e kanë të vështirë të dalin në oborr apo t’i mbajnë dritaret hapur gjatë këtyre ditëve kur kanë filluar temperatura të rritën për shkak të kundërmimit që u sjellin ujërat e zeza që po u kalojnë afër shtëpive.

Më së shumti këtë problem po e kanë banorët dhe bizneset që veprojnë në rrugën që mban emrin
“Shpëtim Robaj”, rrugë kjo që të shpie në parkun e Gërmisë.Banori i kësaj lagje, Ymer Havolli thotë se rrjedhja e ujërave të zeza është një problem i kamotshëm me të cilën po ballafaqohen këta banorë, por që presin zgjidhje sa më shpejt.Kalimi i ujërave të zeza që rrjedhin në ujin e pastër të Gërmisë problem e ka edhe Elmie Mustafa, e cila tha se në këtë drejtim komuna e Prishtinës nuk po ndërmerr asgjë dhe kështu po u rrezikon shëndetin e banorëve.

Erërat që po kundërmojnë në këtë pjesë mjaftë të frekuentuar të kryeqytetit po e vështirësojnë edhe fushë veprimtarinë e shumë bizneseve.

Bahri Brahimi, pronar i njërës nga mobilieritë në këtë lagje, tha se me ngritjen e temperaturave kundërmimi është bërë edhe më i madh.Ai kërkoi që të ndërmerren masa më të shpejt në zgjidhjen e këtij problemi i cili po rrezikon shëndetin e qytetarëve.E sipas Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” bëhet e ditur se në rrugën “Shpëtim Robaj” komuna e Prishtinës ka nisur disa punime për zgjerim të rrjetit të kanalizimit.

Këtë e ka thënë përmes postës elektronike zëdhënësja e KRU-së “Prishtina”, Arjeta Mjeku, e cila tha se vetëm brenda një muaji kanë debllokuar 307 puseta.