Banorët e Astirit protestojnë kundër qeverisë me flamurin kuqezi: Do i shkojmë deri në fund!

Ndonëse është ditë feste, banorët e zonës së Astirit që preken nga projekti i Unazës së Re kanë dalë sërish në protestë në ditën e 25 të tyre, duke hapur një flamur 6 metra të gjatë.

Ata shprehen se kjo është një ditë feste, por edhe beteje kundër këtij regtjimi.

Banorët, shtëpitë e të cilëve janë në plan për t’u prishur për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Re, kanë bllokuar rrugën kryesore dhe shprehen se banesat i kanë të ndërtuara me gjak.

Sipas tyre, policia po i provokon çdo ditë.

“Do e vazhdojmë protestën deri në fund dhe shtëpite nuk i dorëzojmë. Jemi shqiptarë dhe nuk jemi serbë. Do e ngrejmë flamurin dhe shtëpitë tona do i mbrojmë se i kemi me gjak. Ne kemi mbështetjen e banorëve sepse kërkojmë shtëpitë tona dhe nuk i nxjerrim fëmijët jashte.

Të gjithë bashkë jemi për një qëllim. Kjo është ditë festë dhe ditë beteje kundër këtij regjimi. Vetëm ata në kohën e Enver Hoxhës silleshin në këtë mënyrë. Veprojnë natën në mënyrën më të turpshme. Po provokohemi çdo ditë nga policia.”- shprehen qytetarët, raporton ‘News 24’.

Të pranishëm sot në protestë janë edhe deputetë të opozitës.

Një nga banorët theksoi se procesi i legalizimit tek “Unaza e Re” është bërë më miqësi dhe me ndërhyrje. Ai i bëri thirrje qeverisë të marrë masa sa nuk është bërë vonë.

“Legalizimet janë bërë me miqësira me ndërhyrje. Këtu ke një objekt që gjysma është e legalizuar dhe gjysma jo. Projekti të vijojë, por ne duhet të dëmshpërblehemi. Unzën e re e kemi ndërtuar ne, i bëj thirrje të mendojë mirë. Më mirë tani se më pas do të jetë vonë”, – u shpreh një protestues.

“Kur s’u tërhoqën dje që binte shi, si mund të tërhiqemi sot ne. Kur të tërhiqet oligarkia atëherë edhe ne do të tërhiqemi” – tha një tjetër protestues.