Banorët e “Astirit” marrin shembull nga “jelekverdhët” e Francës
Kanë marrë shembullin e protestuesve në Francë.
Banorët e zonës së “Astirit” që preken nga projekti i Unazës së Madhe, mbrëmjen e kësaj të hëne u mblodhën në rrugë të veshur me jelekë fosforeshentë në ngjyrë portokalli. Qëllimi i tyre, ishte të merrnin shembullin e revoltës popullore në Francë që nisi kundër rritjes së çmimit të naftës dhe më tej u kthye në një protestë kundër qeverisë atje.
Veçse në Shqipëri, banorët kanë dalë në mbrojtje të shtëpive të tyre, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të rrugës, projektit të Unazës së Madhe.
Protestuesit që kundërshtojnë projektin 40 milionë euro të Unazës, veshën sot jelekë portokalli, të frymëzuar nga protestuesit francezë. Pas rreth një muaji në përpjekje për të mbrojtur shtëpitë nga fadromat, protestuesit kanë vendosur t’u ngjajnë qytetarëve francezë, që kundërshtojnë me protesta të dhunshme, djegie masive rritjen e çmimit të karburantit në Francë.
Nga ngjashmëria e protestuesve të Unazës së Re me jelekë portokalli me protestuesit francezë, që njihen si “jelekët e verdhë”, duket se edhe shqiptarët janë të vendosur për të mos u tërhequr nga e drejta e tyre për të mbrojtur shtëpitë. ndërkohë që protestohet, shumë banesa kanë nisur të shemben , por banorët kundërshtojnë pasi duan dëmshpërblim të plotë, me vlerën reale të tregut.
Me thirrje ‘jug e veri, jemi një’ dhe ‘turp, turp’, banorët kanë bllokuar edhe sot rrugën kryesore.
“Jemi me të drejtën e fëmijëve tanë. Të gjithë kemi të drejtat tona dhe të gjithë paguajmë taksat. Duam të drejtën tonë dhe të bëjë çfarë të dojë. Nuk jemi kundër projektit, por duam djersën tonë”- u shpreh një qytetar.
Kjo zonë ka një problem të madh, pasi shumë shtëpi janë të palegalizuara, e shumë të tjera në proces legalizimi. Qeveria eshte treguar e vendosur per te vijuar me projektin, nderkohe qe ne mbeshtetje te banoreve ka dale opozita shqiptare.