Banorët e Artakollit paralajmërojnë protesta para kryeministrisë nëse s’u asfaltohet rruga

Banorë zonës së Artakollit në Vushtrri kanë protestuar përsëri në kërkim të ri-asfaltimit të rrugës që lidh të 18 fshatra të kësaj ane.

Protestuesit kanë kërkuar nga Qeveria që deri në fund të javës së ardhshme t’i ndajë fondet për shtresën e parë të asfaltit.

Për 15 minuta ata kanë mbajtur të bllokuar magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, në fshatin Pestovë. Nga aty, ata paralajmëruan Qeverinë se nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje të shpejtë, protesta do të zhvendoset para kryeministrisë.

Në mbështetje të kërkesave të banorëve ka dalë edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili u është bashkuar atyre në protestë.

I pari i komunës së Vushtrrisë tha se ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Financave që të merren vesh për asfaltimin sa më të shpejtë të rrugës.

Më kërkesë të kryetarit, banorët kanë zhbllokuar magjistralen më herët se ç’ishte paraparë.