Banka Botërore mbështet Kosovën me 50.6 milionë euro

Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Hekuran Murati, dhe Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Anna Bjerde, nënshkruan në Washington, Marrëveshjen për Financim për Operacionin e Financimit të Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ka marrë pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti.

Ky financim, në shumën prej 50.6 milionë euro mbështet prioritete të përzgjedhura shtetërore për periudhën 2021-2025, duke përfshirë reforma për të mbështetur transparencën fiskale, zhvillimin e sektorit privat, dhe forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore në vazhdën e krizës së COVID-19.

“Kosova ka nevojë për rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme, që krijon vende pune dhe nxitet nga produktiviteti më i lartë, dhe reformat e mbështetura nga ky operacion do ta mbështesin Kosovën në përforcimin e rimëkëmbjes pas COVID-19 dhe përmirësimin e jetës së njerëzve të saj”, tha Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, transmeton televizioni publik.

Ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të fuqishme në vitin 2021, mbështetur nga rikthimi i kërkesës së brendshme dhe rritja rekorde e eksporteve, edhe pse rritja pritet të ngadalësohet këtë vit.

“Në këtë kontekst, mekanizmi DPF do të mbështesë masat që synojnë përmirësimin e transparencës fiskale dhe rritjen e qëndrueshmërisë fiskale në periudhë afatmesme, në funksion të përpjekjeve të Qeverisë për adresimin e boshllëqeve të konsiderueshme zhvillimore dhe promovimin e uljes më të shpejtë të varfërisë. DPF-ja gjithashtu do të mbështesë një sërë masash për të përmirësuar mjedisin dhe kushtet për zhvillimin e sektorit privat, rëndësia e të cilit u pa edhe më shumë gjatë pandemisë. Sektori privat i Kosovës nuk përmbush pritjet për sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së produktivitetit. Ndër faktorët kufizues janë barra dhe pasiguria rreth kuadrit rregullativ, numri i lartë i kërkesave për licencim dhe inspektime biznesi, furnizimi jo i duhur me energji, dhe kuadri i paplotë ligjor për tregtinë elektronike, përfshirë këtu identifikimin elektronik”, thuhet në komunikatën e Bankës Botërore.

Kosova ka përjetuar thatësira dhe vërshime të shpeshta

Qëndrueshmëria dhe gjithëpërfshirja e rritjes ekonomike në Kosovë, Sipas Bankës Botërore është gjithashtu e rrezikuar ndjeshëm nga sfidat urgjente mjedisore dhe ndryshimet klimatike.

“Kosova ka përjetuar thatësira dhe vërshime më të shpeshta dhe më të rënda. Prodhimi i energjisë, i varur shumë nga lëndët djegëse fosile, dhe menaxhimi jo i duhur i mbeturinave, kontribuojnë në ndotjen e madhe të ajrit dhe degradimin e mjedisit dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve të vendit, duke rrezikuar perspektivën afatgjate të rritjes ekonomike të Kosovës. Për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për një tranzicion të gjelbër, DPF do të mbështesë gjithashtu reformat mjedisore në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë dhe menaxhimin e mbeturinave. FPZH financohet me një kredi koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka një kohëzgjatje (maturim) prej 25 vitesh, me fillim të shtyer pagese (grejs-periudhë) prej 5 vjetësh. Projekti do të kordinohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet në komunikatën e Bankës Botërore.

Deri tani Banka Botërore ka ndihmuar Kosovën me 400 milionë dollarë amerikanë

Banka Botërore nuk është një bankë në kuptimin e zakonshëm. Ajo synon t’i ndihmojë njerëzit të ndihmojnë vetveten dhe mjedisin e tyre duke ndarë me ta njohuritë e veta dhe duke ofruar asistencë financiare dhe teknike. E themeluar në vitin 1944 për të rindërtuar Evropën e shkatërruar nga lufta, Banka Botërore ka programe aktive në më shumë se 100 vende në mbarë botën.

Kosova është bërë anëtare e plotë e Grupit të Bankës Botërore në mesin e vitit 2009. Mirëpo që nga viti 1999, Banka Botërore ka punuar me Kosovën dhe i ka ofruar rreth 400 milionë dollarë amerikan në grante dhe kredi, në më shumë se 30 operacione, përfshirë këtu edhe fondet e mirëbesimit. Përkrahje është ofruar në një spektër të gjerë sektorësh, përfshirë këtu bujqësinë, kadastrin, arsimin, energjinë, mjedisin, sektorin financiar, sektorin e administratës publike dhe përfshirjen sociale.