Brenda pak javësh, Ministria e Shëndetësisë është përfshirë në dy raste të kurdisjes së tenderëve, kanë vlerësuar ekspertizat e Bankës Botërore, në të cilat ka siguruar qasje KOHA. Në një tender, që kishte të bënte me pajisje laboratorike në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, kjo organizatë ka konstatuar se ka pasur përshtatje kriteresh. Të njëjtën e ka theksuar tani për tenderin që ka të bëjë me mirëmbajtjen e pajisjeve harduerike të Sistemit Informativ Shëndetësor

Një tjetër tender në shëndetësi është përgatitur për t’iu përshtatur vetëm një kompanie. Servisimi i pajisjeve që lidhën me Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH) është konstatuar që ka pasur përpjekje që të bëhet me kurdisje.

Banka Botërore përmes një ekspertize, ka konstatuar që komisioni që ka përcaktuar kriteret e tenderit me titull “Mirëmbajtja e 70% të Harduerit të Sistemit të Informimit Shëndetësor për institucionet shëndetësore” është bërë në atë mënyrë që të kufizohet konkurrenca. Ky tender kishte vlerë më shumë së 700 mijë euro.

Ekspertiza, të cilën e ka siguruar KOHA, thotë se kriteri që kompania fituese duhet të ketë projekte të natyrës komplekse me kompaninë që ka furnizuar Ministrinë e Shëndetësisë me pajisjet harduerike, është kriter i panevojshëm kufizues. Nëse asnjë kompani tjetër, përveç asaj që ka projekte me kompaninë furnizuese, nuk mund të mirëmbajë këto pajisje, atëherë, sipas tyre, tenderi nuk duhet të jetë i hapur, por vetëm me një operator.

Një kërkesë e tillë duhet të shoqërohet me një analizë tregu që tregon se të paktën dy operatorë ekonomikë nga tregu vendës mund ta përmbushin këtë kriter. Përndryshe, kjo lejon që vetëm një operator ekonomik të jetë në gjendje të ofrojë – ai që ofron mirëmbajtje të certifikuar të Dell EMC Zero Client. Nëse MSH-ja nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ketë mirëmbajtje vetëm me një kompani, ndoshta me atë që ka dorëzuar harduerin, atëherë kjo duhet të justifikohet për një prokurim me një burim të vetëm dhe të jetë e dukshme në dokumentin e tenderit”, thuhet në ekspertizën e Bankës Botërore të cilën e ka KOHA.

Një pikë tjetër të dosjes së tenderit, ekspertiza e Bankës Botërore e cilëson si të pasens.

Për zgjatjen e garancisë 3-vjeçare: Ne nuk shohim se si një firmë e re mund të zgjasë garancinë 3-vjeçare të harduerit dhe shërbimit. Firma që fiton kontratën nuk mund ta bëjë këtë. Kjo është për firmën origjinale që e shiti dhe instaloi ato lloj pajisjesh. Për më tepër, nëse një kompani e re punon në atë pajisje, garancia origjinale humb. Pra, nëse garancia origjinale nuk ka skaduar ende, MSH-ja duhet të presë derisa të skadojë për të hapur më pas një proces tenderimi ose të bëjë një kontraktim të drejtpërdrejtë me të njëjtin operator nëse nuk dëshironi të humbni garancinë”, thuhet në të njëjtin dokument.