Balla: Nuk mund të vendosen paralele mes luftës së pastër të UÇK-së dhe krimeve të Serbisë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që të votojnë rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, për pretendime të krimeve të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Balla ka thënë se ata besojnë se lufta dhe kauza e UÇK-së ishte e pastër dhe se ata që kanë kryer krime gjatë vitit 1999 ishin ushtria paramilitare serbe.

“Në vijim të qëndrimeve tona të kahershme për vlerësimin e legjitimitetit të luftës heroike dhe çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe duke e rishprehur qëndrimin tonë se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarëve të saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë dhe integriteti dhe kauza e drejtë e luftës së UÇK si reagim në mbrojtje te jetës dhe lirisë së popullit në Kosovë, çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimit ligjor. Por procesi për këtë çështje do të duhej të mbarojë dikur me qëllim që popujt të gjejnë forcën të pajtohen dhe të jetojnë së bashku duke shëruar plagët e se shkuarës”,ka thënë Balla.

Balla ka deklaruar se pas një pune hetimore 10-vjeçare e kanë nisur këtë rezolutë kundër raportit të Dick Martyt të vitit 2011.

“Pika 1 dhe 4 e këtij raporti mbeten të pargumentuara dhe pabazuara në prova dhe fakte. Këto pika përmbajnë se janë vrarë njerëz, organet e të cilëve janë kontrabanduar jashtë”, ka thënë Balla.

Më 18 korrik, PS e deponoi propozimin për rezolutën dhe tekstin e rezolutës me të cilën Shqipëria do të hedhë poshtë pretendimet për trafikim organesh.

Në propozimin për rezolutë të cilën e kanë iniciuar deputetët e PS-së Taulant Balla, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi, Etjen Xhafaj, Petro Koci, Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollcaku, Ilir Pendavinji e Arben Pëllumbi thuhet se PS beson se do të ketë “mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë” dhe se me këtë projekt rezolutë synohet në vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

Ndërsa në tekstin e projekt rezolutës që pritet t’i propozohet ligjvënëseve shqiptarë thuhet se hetimet e thelluara rreth pohimeve të Dick Martyt për trafikim organesh mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara prandaj theksohet se të tilla duhet të konsiderohen edhe nga ndërkombëtarët.