Bali Muharremaj “iu qon” policinë te dera të infektuarve me COVID-19: Thotë se po dalin në qytet

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se nga nesër Policia do të dalë në terren dhe do të shkojë nëpër shtëpitë e personave të prekur me COVID-19, pasi që sipas tij ata po dalin nëpër qytet.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të martën ka njoftuar për tri raste të vdekjeve në Komunën e Suharekës nga COVID-19, derisa ka bërë të ditur se janë edhe 7 raste të reja të konfirmuar me koronavirus.

Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, ka thënë për RTV Dukagjinin se gjendja është stabile, mirëpo sipas tij shqetësuese është veprimi i disa qytetarëve.

Sipas Muharremaj, qytetarët që kanë dalë pozitiv me koronavirus, po dalin në qytet.

“Njoftoj qytetarët se nga nesër policia do të dalë në terren dhe do shkojë nëpër shtëpitë e personave të prekur pasi që ka njoftime se disa persona pavarësisht se janë të prekur me coronavirus po dalin jashtë shtëpive duke rrezikuar edhe qytetarët tjerë”, tha ai.