Bajrami: Një pjesë e ministrave caktohen nga Hoti, LDK s’duhet të ndihet e obliguar ndaj meje

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami ka deklaruar në emisionin Frontal në T7 se emrat e propozuar të ministrave të LDK’së për qeverinë e re që kanë dalë në media janë vetëm spekulime, sepse për këtë çështje nuk ka një vendim përfundimtar në parti.

“Nuk e kemi diskutuar të gjitha emrat që kanë dal nëpër media kanë qenë spekulime, e kemi diskutuar në një nga mbledhjet nëse ministrat aktual do të vazhdojnë apo jo po nuk ka përfundu ky diskutim, ka pas opinione pozitive për të gjithë, fatmirësisht të gjithë ne kemi me çka të merremi, ju kemi thënë përfaqësuesve të partisë që nuk duhet të ndiejnë obligim që  ne patjetër. Vendos kryesia, një pjesë e diskrecionit i takon kandidatit për kryeministër sepse rezultatet kërkohen nga ai dhe që ai të ketë diskrecion për vendosjen dhe zgjedhjen e ekipit që ai beson”, ka thënë Bajrami.

Ajo shton se ministrja e Arsimit sipas marrëveshjes së koalicionit i takon Aleancës, derisa, thotë se nuk ka informacione nëse do t’i ofrohet ndonjë dikaster tjetër.

“Nuk e kam asnjë problem të ju them të drejtën. Nëse ne do të marrim konfirmimin nga Gjykata Kushtetuese në bazë të marrëveshjes kjo ministri i takon Aleancës. Nuk e di, s’kam asnjë informacion edhe nëse më ofrohet diçka e tillë më duhet të mendoj nëse mund ta bëjë punën siç pritet.

LDK nuk duhet të ndijë obligim që mua të më vendos në ndonjë dikaster”, shtoi e njejta.

Bajrami e pyetur për deklaratën e nënkryetarit të partisë, Lutfi Hazirit se disa ministra nuk kanë punuar mirë në Qeverinë Kurti, thotë se nuk e dinë se për kë e ka fjalën ai.

“Për besë nuk e kam dëgju kryetarin Haziri nuk jam marrë me vlerësimin e asnjërit, edhe me i vlerësu ministrat unë personalisht nuk mundem për një periudhë kaq të shkurtë, disa prej neve na ka ra të angazhohemi shumë sepse na ka rënë të preken sektorët gjatë pandemisë. Konsideroj që sektori i arsimit ka qenë më i prekuri pas atij të Shëndetësisë”, shtoi e njejta.

Bajrami thotë se Qeveria aktuale pati mandat të shkurtër e se LDK’ja kishte nënshkruar koalicionin duke menduar LVV si partner më shumë se katër vite.

“Qeveri tepër me mandat të shkurtër, me plot sfida duke marrë parasysh që kishim edhe situatën pandemike, nuk është që më vjen mirë që përfundoi në këtë formë sepse si LDK e kemi mëndu për një partneritet më shumë se katër vite. Ju e dini si ka ardhur te shkarkimi dhe gjithçka tjetër”, tha ajo.