Bajrami-Lekajt: Të vendoset një standard për ndërtimin e autostradave

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka arsyetuar para deputetëve investimet në autostrada, ndërkohë që këta të fundit kanë kërkuar të investohet në gjëra më elementare si dhe standard në ndërtimin e autostradave.

Derisa Lekaj tha se Kosova është lider në rajon, ai mori kritika për investimet e shumta që po bëhen në autostrada, pasi që vendi ka nevojë për investime më parësore.

Ndër çështjet që ngritën deputetët ishin edhe arsyeshmëria e autostradave që po ndërtohen, 53 milionët për Bechtel-Enka, si dhe rreth çmimeve të ndryshme të autostradave. Kështu, më e zëshmja ishte deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se është e çuditshme se si një kilometër autostradë në një territor mund të kushtojë më pak e në një territor tjetër shumë më shtrenjtë.

Ajo ka kërkuar sqarime për 53 milionët që Qeveria e Kosovës duhet të paguajë për kompaninë Bechtel-Enka, derisa tha se sipas informacioneve që ka, edhe Bechtel-Enka është vonuar, ndërkohë që nuk ka pasur dënim për kompaninë.

Bajrami tha po ashtu se para se të fillojnë projektet për lidhjen e disa qyteteve me autostrada, duhet të hartohet raporti i fizibilitetit në mënyrë që të sqarohet arsyeshmëria ekonomike për një gjë të tillë.

Ministri Lekaj shpjegoi se si do të jetë edhe puna e dënimit në vonesat e kompanisë Bechtel-Enka.

Ai tha se kur të përfundojë i tërë projekti vlerësohen vonesat dhe shkaktarët e saj, në mënyrë që të caktohet dënimi.

Teksa ka larguar edhe njëherë nga vetja përgjegjësinë për 53 milionë eurot e dhëna për Bechtel-Enkan.

Ndërsa, deputeti Liburn Aliu parashtroi pyetjen se si mund të lidhet Besia me Merdare, kur Serbia nuk e lidh Nishin me Merdare, ndërkohë që në Kosovë nuk po hyjnë mallra të Serbisë për shkak të taksës 100 për qind.

Për këtë, Lekaj tha se kanë përgjegjësi nga procesi i Berlinit që të përfundojnë këtë autostradë.
Deputetja Hykmete Bajrami shtroi edhe çështjen e monopolizimit në fushën e homologimit, ndërkohë që kjo siç tha ajo është bërë përmes udhëzimit administrativ. Ajo tha se ka shtete të cilat e rregullojnë këtë përmes institucioneve.