Bajrami: Kuvendi i Kosovës të miratojë rezolutë ndaj raportit të Dick Martyt

Një rezolutë kundër raportit të Dick Marty për luftën në Kosovë, duhet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Kështu ka deklaruar për Radio Kosovën profesori universitar i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami.

Ai prej disa ditësh po qëndron për një vizitë në Hagë, ndërsa nga atje ka thënë se institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më aktive për të reaguar menjëherë politikisht, pas zbulimit se raporti i Dick Marty ka qenë një komplot serb.

Bajrami, tha se Gjykata Speciale vetëm formalisht quhet e Kosovës, por në veprimin e deritanishëm ajo nuk ka asnjë element të shtetit të Kosovës dhe nuk respekton themeluesin e saj, shtetësinë e Kosovës, derisa foli edhe për shkeljet, që sipas tij, janë bërë.

Profesori universitar i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka deklaruar për Radio Kosovën se Qeveria edhe Kuvendi i Kosovës, është dashur që të reagojnë politikisht përmes një rezolute të veçantë, pas zbulimit se raporti i Dick Marty ka qenë një komplot serb dhe se nga ai raport ka buruar komplet procesi i dëmtimit të shtetësisë së Kosovës. Ai theksoi se Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, duhet të dënojë dhe të gjykojë komplotin e Dick Marty, që doli tërësisht i falsifikuar dhe i rrejshëm, sepse siç tha, në aktakuzat e ngritura nuk ka asgjë që përmendet në këtë raport, që shërbeu si bazë për nisjen e këtij procesi.

“Kjo gjykatë vetëm formalisht quhet e Kosovës, por në veprimin e deritanishëm ajo nuk ka asnjë element të shtetit të Kosovës dhe nuk respekton themeluesin e saj, shtetin e Kosovës, sepse nën këtë gjykatë, jo vetëm që nuk ka simbole të shtetit të Kosovës, por vjen shumë në dyshim zbatimi i Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, që është obligim i kësaj gjykate. Nga ana tjetër, në procedurat e deritanishme janë bërë shkelje flagrante procedurale dhe materiale, që janë shkelje jo vetëm e Kushtetutës dhe legjislacionit të Kosovës, por janë shkelje edhe e konventave evropiane për të drejtat e njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare penale, që nga mbajtja në arrest pa kurrfarë nevoje e deri te shkeljet procedurale, që po ndodhin gjatë zhvillimit të procedurës, në radhë të parë nga gjyqtari paraprak”, tha ai.

Profesori Bajrami, theksoi se institucionet e Kosovës nuk duhet të tregohen të pafuqishme, por të bëjnë një presion politik siç po e bën Shqipëria, duke e ngritur këtë çështje në Këshillin e Evropës dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Zvarritja e procesit, sipas Bajramit, jo vetëm që po i dëmton të paraburgosurit, por në mënyrë të drejtpërdrejtë po dëmton edhe shtetin e Kosovës, e duke trimëruar Serbinë në këtë kohë të dialogut.

“Së paku edhe Kuvendi i Kosovës, si themelues i kësaj gjykate duhet të jetë shumë më aktiv që të ushtrojë një lloj presioni politik, jo për ta ndalur procesin, sepse procesi nuk mund të ndalet, por për të kërkuar që gjykata të funksionojë mbi bazën e ligjeve, standardeve, rregullave, të mundësojë një gjykim të drejtë e të shpejtë, sepse siç po shihet deri më tani kjo gjykatë nuk është fare e interesuar për një gjykim të shpejtë, aq më tepër po e stërgjatë pa nevojë procesin. Në një farë mënyre, jo vetëm që po i dëmton të paraburgosurit, por në  një mënyrë të drejtpërdrejtë po dëmton edhe shtetin e Kosovës, duke dëmtuar imazhin e shtetit e duke trimëruar Serbinë në këtë kohë të dialogut, dhe duke shprehur qartazi një tendencë për të barazuar krimet e gjenocidit të Serbisë në Kosovë me të ashtuquajtura krime apo veprime të izoluara që mund të kenë ndodhur nga ndonjë pjesëtar i UÇK-së”, tha ai.

Për sa i përket deklaratave nga ana e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, se Gjykata Speciale nuk i jep llogari askujt, Bajrami tha se është e qartë që nuk ka ndonjë mekanizëm mbikëqyrës, sepse pushtetet janë të ndara dhe kjo gjykatë është një cikël i mbyllur. Por, theksoi se politikisht mund të ushtrohet presion nga Qeveria, Presidentja dhe Kuvendi, autoriteteve të gjykatës që të respektojnë rregullat ligjore, e në mënyrë të veçantë të mundësojnë një gjykim të shpejtë, të drejtë e të paanshëm.

Profesor Bajrami aktualisht po qëndron në Hagë, ku ka vizituar të gjithë të burgosurit në dhomat e paraburgimit. Ai tha se ata janë mirë dhe janë të vetëdijshëm që kjo është një betejë ligjore, ndërsa janë të zhgënjyer me siç tha, padrejtësitë e procesit deri tani. Bajrami, tha se kjo nuk e ka ulur moralin e tyre që të përgatiten bashkë me mbrojtjen dhe një numër të madh të ekspertëve, për ta rrëzuar komplet këtë aktakuzë të ndërtuar mbi baza politike, e një premisë që quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale, që është inekzistente. “Nëse flitet për një ndërmarrje të tillë, atëherë pa dyshim që gjenocidi i Serbisë në Kosovë ka qenë një ndërmarrje shtetërore dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe mbrojtëse”, tha Bajrami. Ai është optimist se nëse procesi përshpejtohet, në fund do të argumentohet pafajësia e të gjithë të akuzuarve dhe me këtë do të mbrohet edhe tendenca për të rishkruar histori apo për të dëmtuar luftën e drejtë të UÇK-së. Ndërsa, deklaroi se të akuzuarit duhet të lejohen të mbrohen në liri, pasi siç tha, Kosova është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë.

Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi, nga hulumtimi i fundit që ka bërë, ka gjetur se Gjykata Speciale ka treguar joefikasitet në kryerjen e misionit të saj. Medina Kadriu, nga IKD, tha për Radio Kosovën se gjatë monitorimi është vërejtur se procesi është përcjell me mangësi të shumta, sidomos në respektimin e të drejtave të të pandehurve në procedurë penale.

“Edhe pse janë ngritur aktakuza dhe kanë filluar procedurat gjyqësore, puna e Prokurorisë dhe Gjykatës është përcjell me mangësi të shumta, sidomos në drejtim të respektimit të të drejtave të të pandehurve në procedurë penale, redaktimet e tepërta në aktakuza, në prova, vonesa në nxjerrjen e materialeve, dhe të tjera”, tha ajo.

Për sa i përket një mekanizmi mbikëqyrës të kësaj Gjykate, Kadriu theksoi se me Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit, nuk parashihet asnjë mundësi që mund të themelohet ndonjë mekanizëm mbikëqyrës. Ajo theksoi se një tentativë e tillë, në bazë të parimeve ndërkombëtare, por edhe në bazë të Kushtetutës së Kosovës, do të konsiderohej ndërhyrje në drejtësi.