Bajrami: Ideja për bashkim kombëtar tani, çon te ndarja e Kosovës mes Shqipërisë e Serbisë

Për Agron Bajramin, kryeredaktor i të përditshmes Koha Ditore, ideja e proklamuar rishtas nga presidenti Hashim Thaçi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, çon te një ide që Beogradi e ka kërkuar qëmoti.

E kjo, sipas Bajramit, është ideja e ndarjes së Kosovës në mes të Shqipërisë dhe Serbisë.

Bajrami thotë se kjo tashmë është e qartë, por e pakuptueshme pse kjo ide proklamohet nga paria në Kosovë, e përkrahet nga ajo e Shqipërisë.

“Apo ndoshta edhe nuk është aq e pakuptueshme nga prizmi i përllogaritjeve personale që nuk marrin parasysh dëmin e përgjithshëm, sado i madh që mund të jetë ai!”, ka shkruar Bajrami.

Postimin e plotë të Bajramit mund ta lexoni më poshtë:

Është më se e qartë:

• Hapja e çështjes së bashkimit Shqipëri-Kosovë para se të përmbyllet dialogu me Serbinë, përveç që e vendos në pikëpyetje statusin e Kosovës, e bën këtë çështje pjesë të negociatave me Beogradin.

• Rrjedhimisht, kjo e shndërron dialogun e Brukselit në negociata territoriale mes Shqipërisë dhe Serbisë, ku vija e kompromisit (ndarjes) do vendoset në territorin e Kosovës.

• Pikërisht këtë e kanë kërkuar zyrtarët më të lartë serbë prej vitesh.

• Kështu, në vend të këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, do bëhet ndarja e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Është e qartë, pra. Por edhe thellësisht e pakuptueshme pse një nismë e tillë – me të cilën shqiptarët mund vetëm të humbasin – vjen nga presidenca kosovare me mbështetje në qeveria në Tiranë…

…apo ndoshta edhe nuk është aq e pakuptueshme nga prizmi i përllogaritjeve personale që nuk marrin parasysh dëmin e përgjithshëm, sado i madh që mund të jetë ai!