Bajrami demanton Kurtin për luftimin e korrupsionit: Propaganda nuk kalon

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili të martën tha se në vetëm dy vite të qeverisjes së tij, Kosova u përmirësua për 20 vende sa i përket luftimit të korrupsionit, nga vendi 104 më 2020 për në vendin 84 në vitin 2022.

Por, ish-ministrja e Financave ka demantuar shefin e qeverisë i cili po ashtu u shpreh sot se “për gati një dekadë, Kosova ishte e ngujuar mes pozitave 105/104 nga viti 2012 deri në vitin 2020”, raporton Paparaci.

Sipas Bajramit, që nga viti 2017 Kosova në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, sipas raportit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International” është ngritur për vetëm një pozitë më lart, nga pozita 85 (2017) në 84 (2022) dhe ka shënuar vetëm 2 pikë me shumë nga 39 (2017) në 41 (2022) nga 100 të mundshme.

“Kosova në vitin 2017 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit sipas raportit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International” ka qenë e renditur në pozitën e 85 nga 180 vende dhe ka shënuar 39 pikë nga 100 të mundshme.

Kosova në vitin 2022 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit sipas raportit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International” renditet në pozitën e 84 nga 180 vende dhe ka shënuar 41 pikë nga 100 të mundshme”, shkroi ajo në Facebook, teksa u shpreh se propaganda e pushtetit nuk kalon.