Bajrami: Autostradat bëhen veç për shpronësime

Hykmete Bajrami nga LDK-ja ka thënë se keqpërdorimi i buxhetit nga Qeveria Haradinaj ka bërë që të humben 24 mijë vende të punës në Kosovë.

Sipas saj, më 2017, sipas raporteve ishin 365 mijë të punësuar, ndërsa dy vjet më vonë, figuron se janë 341 mijë.

“24 mijë vende të punës të humbura në sektorin privat”, ka thënë ajo duke akuzuar ish-qeverinë se keqpërdorimet e buxhetit çoi në përkeqësim të ekonomisë. “Keqpërdorimi i buxhetit, resurseve duke filluar nga numri enorm i kabinetit. Gjithë pagat e 450 të emëruarve politikë, janë taksa të sektorit privat”.

Bajrami ka thënë po ashtu ka kritikuar edhe planin për autostradën e Dukagjinit. Sipas saj, kosto e shpronësimit ishte paraparë rreth 600 milionë eurosh.

“Autostradat bëhen veç për shpronësime”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se LDK-ja në qeverisje do ta decentralizojë subvencionimin e bujqësisë, duke ua adresuar komunave fondin për bujqësi, respektivisht Drejtorive për Zhvillim.

“Ata njohin më mirë bujqit. Në mënyrën se si është ndarë fondi për bujqësi ka qenë gabim. I është ndarë fond për bujqësi dikujt që jeton në katin e 10 në soliter në Pejë, e nuk i është dhënë bujkut në Rugovë, vetëm pse kur kanë shkuar prej Prishtinës nuk i kanë gjetur bujqit aty”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se subvencioni duhet të bëhet bazuar në rendiment dhe jo në hektarë.

loading…