Bajram Kosumi rizgjidhet Rektor i Universitetit “Kadri Zeka”

Bajram Kosumi është zgjedhur përsëri rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.

Në një komunikatë për media nga ky Universitet është njoftuar se Prof.Asoc.Dr Bajram Kosumi është zgjedhur rektor për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.

Këshilli Drejtues i këtij Universiteti që përbëhet nga shtatë anëtarë, ka votuar në mënyrë unanime për Rektorin Kosumi.

“Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Kryesues Dr. sc. Emrush Thaçi, vlerësoi se procesi për zgjedhjen e rektorit të UKZ-së ka shkuar mirë dhe pa asnjë problem. “I gjithë procesi ka rrjedhur mirë dhe konform rregulloreve pa asnjë problem”, tha ai”.

Kosumi është shprehur se besimi që i është dhënë është përgjegjësi për të.

“Besimi që më kanë dhënë është një përgjegjësi shtesë që të gjithë së bashku të punojmë për zhvillimin e Universitetit tonë”, ka thënë Rektori Kosumi.

Ndryshe me zgjedhjen e rektorit është përmbyllur gjithë procesi zgjedhor në UKZ. Fillimisht studentët kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre, mandej janë mbajtur zgjedhjet për këshillat e fakulteteve dhe së fundi është konstituuar edhe përbërja e re e senatit të cilët do të marrin mandatin me 1 tetor 2019.