Bajqinovci paralajmëron Radoiçiqin: Do të arrestohesh

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Mefail Bajqinovci i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, do të arrestohet “posa të detektohet nga policia”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, në një intervistë për RTV Dukagjini, tha se organet e rendit janë duke punuar për arrestimin e Radoiçiqit, ndaj të cilit ekziston një urdhër-arresti i lëshuar nga Prokuroria e Shtetit.

“Te Radoiçiqi është një dallim i madh sepse ai më parë ka pirë kafe në Prishtinë dhe ka dhënë deklarata të ndryshme, kurse tash po del në kala të Mitrovicës për t’u deklaruar. Policia e Kosovës është duke e ndjekur dhe posa ta gjejnë do ta arrestojnë”, paralajmëroi ai. “Unë po them që në momentin kur detektohet, nuk ka më…”.

Bajqinovci deklaroi se paraqitja e Radoiçiqit në Mitrovicën e Veriut “ishte kërcënim direkt në të cilin është i përfshirë shteti i Serbisë”.

“Pse s’po del në qytet nëse je i fortë? Tregom ti mua qysh ka qenë Radoiçiqi para tri vitesh dhe qysh është sot? Ka qenë i ndjekur por shpesh e kanë larguar edhe flet-arrestin”, tha Bajqinovci.