Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci ka reaguar sërish, duke i quajtur shpifje përçarjet në Vetëvendosje.

“Me gjithë këtë arsenal sulmesh me të pavërteta nga të gjitha këto partitë e vjetra, e përsëri s’ka të ndalur përkrahja e popullit për Lëvizjen Vetëvendosje. Me gjithë rreshtimin e disa mediave (sigurisht, asnjëherë të gjitha mediat), në përhapje të lajmeve të rreme në drejtim të Qeverisë Kurti e LVV’së, e përsëri populli i Kosovës nuk po hamendet por po e zgjeron çdo ditë e më shumë përkrahjen për ne”, ka shkruar ai.

Tutje ai thotë se ata as nuk kanë vjedhur, as tradhëtuar e as gënjyer. “Ata po, për njëzet vjet me radhë. Tani, pasi dështuan njëherë para dy vite e gjysmë, shpresojnë që rritjen e madhe të VETËVENDOSJES, ta ndalojnë me përhapje të lajmeve të rreme për kinëse përçarje të brendshme. Është e qartë, u kanë dështuar të gjitha mjetet tjera. Kanë shpenzuar shumë dhe u ka mbetur që me dëshpërim të provojnë edhe këtë kartë”, shkruan ai.

Sipas tij, edhe kjo është kot.

“Jemi bashkë, të motivuar e koherent për të shty përpara vullnetin e popullit për ndryshim të thellë në qeverisje, për drejtësi, për mirëqenie, për shëndetësi, për siguri e për edukim për të gjithë, pa dallim, pa korrupsion, pa nepotizëm, pa dallavere, me përkushtim, me mobilizim të dijes, me dashni për vendin e për popullin tonë të mrekullueshëm. Nuk ja dilni dot. Lëvizja më e fortë se kurrë e gjithnjë e më fortë, e më e bashkuar se kurrë më parë”, ka shkruar Bajqinovci.

Ky reagim i tij vije pas disa raportimeve se ka përçarje ndërmjet Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës. /Ballkani.info/