Bajqinovci i VV-së tregon kujt ia zgjasin dorën e bashkëpunimit në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje është duke pretenduar fitore mbi 51 për qind në zgjedhjet e reja, që do të mbahen brenda 40 ditësh.

Deputeti Mefail Bajqinovci thotë për Ballkani.info, se ata nuk kanë nevojë për koalicion para zgjedhor e ndoshta as pas zgjedhor, gjersa shton se dorën e bashkëpunimit e kanë vetëm për Vjosa Osmanin.

Kosova brenda 40 ditësh do të mbajë zgjedhje të reja, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese që qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitime.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka ardhur pas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Gjersa, kanë përkrahur vendimin e Kushtetueses, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për Ballkani.info, se ata janë të gatshëm për rezultat të dyfshitë krahasuar me zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje vazhdimisht kemi punuar shumë dhe presim  një rezultat të dyfishtë krahasuar me zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar. Ne vetë do t’i fitojmë mbi 51%, bazuar në përkrahjen masive që qytetarët po na e japin si dhe matjet që po bëhen”, ka thënë deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.

I pyetur nëse do të kenë ndonjë koalicion para zgjedhor apo me cilën parti do të preferonin ata për një koalicion pas zgjedhor, Bajqinovci ka thënë se ata nuk kanë nevojë për asnjë parti për t’i fituar zgjedhjet.

Sipas tij, Vetëvendosja dorën e bashkëpunimit e shtrinë vetëm për Vjosa Osmanin.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nevojë për asnjë koalicion me asnjë part,i sepse e vetme do t’i fitojmë zgjedhjet. Dorën e bashkëpunimit e shtrimë vetëm për Vjosa Osmanin dhe për askënd tjetër. Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka diskutuar koalicionin e mundshëm paszgjedhor me ndonjë parti, pasi ne jemi të përqendruar te fitorja me 51% të votave dhe mendoj se nuk do kemi nevojë për asnjë koalicion me asnjë parti pas zgjedhjeve”, ka pohuar Bajqinovci për Ballkani.info./Ballkani.info./