Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, pas marrëveshjes mes dy partive, ka deklaruar se nga sot, Kosovën do ta qeverisë një bllok politik e një lidership i kulturuar, i dijshëm, dhe i integruar.

Bajqinovci përmes Facebook ka thënë se mashtrimet, abuzimet e shpërndarja e pasurisë së qytetarëve për grupe të ngushta të interesit brenda partive deri sot në pushtet, kishin nisur në Janarin e 2008’tës, por kulmin e arritën në Qeverinë Haradinaj.

“ Çdo ditë i riu i Kosovës, dëgjonte për vendime që ja rrisnin pagën vetës kundërligjshëm, rritjen në 21 të numrit të ministrive, emërimin e afër 90 zv. ministrave që turpëruan vendin dhe shkatërruan autoritetin e shërbyesit publik, dualizimin institucional me emërimin e çmendur të koordinatorëve, shpërndarjen e buxhetit pa bazë ligjore, pa strategji e as pa kurfarë politike publike, shpenzime luksi në stil të kumarxhive, punësuan me lista të dasmave familjare. Ata Shkatërruan imazhin ndërkombëtar të vendit, zvogëluan besimin e partnerëve ndërkombëtar u vunë fund e krye kundër të rinjëve të ditur e të shkolluar mirë, i bënë shumë zullum Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka potencuar se nga sot nuk fillon mrekullia në Kosovë, por asnjë nga ato që i kemi përjetuar me vite, nuk do t’i shohim më.

“Nga sot, nuk fillon mrekullia në Kosovë. Ama nga sot, asgjë e asnjë nga ato që i kemi pa për këto vite, nuk do t’i shohim më. Kosovën do ta qeverisë një bllok politik e një lidership i kulturuar, i dijshëm, i integruar në dijet e arritjet e botës së qytetëruar. Do të kemi një qeveri shtetndërtuese që u shërben të gjithëve. Urime”.