Bahtiri pas kalimit në VV: Kosova ka nevojë për Albin Kurtin, prandaj u bëmë bashkë

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri pas anëtarësimit në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se Kosova po kalon nëpër një moment shumë rëndësishëm politik, që janë zgjedhjet e parakohshme nacionale që do të mbahen së shpejti, nga të cilat do të dalë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe do të formohet Qeveria e re.

“Në kohën kur Kosovën po e presin sfida të mëdha shtetërore, siç janë dialogu me Serbinë dhe arritja e Marrëveshjes Finale, liberalizimi i vizave, forcimi i organeve të rendit, zhvillimi ekonomik, reformat në shëndetësi e arsim, e shumë e shumë sfida tjera, vendi ka nevojë të udhëheqet nga një qeveri meritore dhe që ka vizion për realizimin e interesave të qytetarëve”, ka thënë Bahtiri në një mesazh në Facebook.

Sipas tij, më shumë se kurrë më parë, Kosova tani ka nevojë të udhëheqet nga një lider i fuqishëm, i dijshëm, me vizion dhe plan-program të duhur, e që besoj se i vetmi për momentin në skenën politike të Kosovës është kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Për 14 vite rresht, pa harruar edhe vitet e paraluftës dhe luftës, z. Albin Kurti ka paraqitur ide të qarta dhe i ka qendruar besnik vizionit të tij për ndërtimin e shtetit të Kosovës me integritet e sovranitet të plotë, një shteti të së drejtës dhe me përspektivë ekonomike e zhvillimore. Sa herë kam pasur nevojë për përkrahje, edhe pse nuk kam qenë pjesë e VV-së, z. Albin Kurti ka qenë pranë meje, si në zgjedhjet lokale, po ashtu edhe në procesin e padrejtë të përcaktimit të kufinjve administrativ, të cilin nuk e kam lejuar të ndodh. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, e gjithë dega e AKR-së në Mitrovicë ka marrë vendim që të kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje dhe t’i bashkohet vizionit të Albin Kurtit, duke i dhënë përkrahje të plotë kandidaturës së tij për kryeministër të Qeverisë së Kosovës. Pas vendimit që kemi marrë dje në Këshillin Drejtues të degës, sot në një ceremoni solemne e gjithë dega e AKR-së në Mitrovicë, që përbëhet nga më shumë se 600 zyrtarë e aktivistë kaloi në Levizjen Vetëvendosje. Na pret rrugë e gjatë përpara, por nuk do të pushojmë për asnjë çast të punojmë për të mirën e qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, pavarësisht pengesave që mund t’i kemi gjatë rrugëtimit të përbashkët.Me kryeministër Albin Kurti! Na priftë e mbara!”, ka shkruar Agim Bahtiri. /Ballkani.info/

loading…