Nënkryetari i Komunës Jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka, ka mbajtur mbledhje me bordin e drejtorëve me të cilët kanë diskutuar rekomandimet e marra nga Qeveria e Kosovës lidhur me masat preventive rreth koronavirusit.

Në një komunikatë për media janë publikuar edhe masat e marra nga Komuna që drejton Bahtiri, që përfshijnë dezinfektim të objekteve arsimore e shëndetësore atje.

Gjithashtu është publikuar edhe numri pa pagesë për qytetarët të cilët kanë nevojë për informacione shtesë ( 080019400).

Përveç tjerash Komuna që drejton Bahtiri ka marrë vendim për inspektim të objekteve afariste dhe gjobitje të atyre që rrisin çmimet.

Njoftimi i plotë:

Drejtuar nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhje e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar rekomandimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, lidhur me masat parandaluese rreth virusit COVID- 19.

Në këtë mbledhje ekzekutivi i komunës u dakorduan që Komuna e Mitrovicës të njoftoj të gjithë qytetarët, lidhur me këto rekomandime si masa parandaluese rreth virusit COVID- 19.

  1. Gjatë vikendit do të dezinfektohen detajisht të gjitha hapësirat e ndërtesave të Komunës së Mitrovicës, duke përfshirë këtu edhe institucionet shëndetësore dhe ato arsimore.
  2. Punëtoret e sporteleve të Komunës së Mitrovicës do të pajisen me maska mbrojtëse, dorëza dhe dezinfektues.
  3. Ndalimi i veprimtarisë së klubeve restoranteve, klubeve të natës , palestrave, pishinave pas orës 23:00.
  4. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë privatë që kryejnë transport publik të udhëtarëve, duhet të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.
  5. Inspektim i vazhdueshëm i subjekteve afariste, në rast të ngritjes së çmimeve do të gjobiten.
  6. Lirimin nga vendi i punës të njërit prind për përkujdesje të fëmijëve.

Në fund lusim të gjithë qytetarët e Komunës së Mitrovicës që vetëm për raste të domosdoshme të paraqiten në komunë, dhe për çdo pyetje, apo kërkesë të tyre në lidhje me shërbimet komunale, të thërrasin në Qendrën e Thirrjes pa pagesë në numrin 080019400.