Bahtiri me premtimin më të veçantë për zjarrfikësit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe kandidati i LVV-së për një mandat të ri, Agim Bahtiri ka vizituar sot njësitin e zjarrfikësve të Mitrovicës.

Bahtiri u ka ndarë mirënjohje për punën që kanë bërë këta zjarrfikës gjatë aksionit në veri të vendit, ku kanë qëndruar bashkë me njesitet speciale të policisë.

“Këta heronj ishin në secilin moment me Policinë e Kosovës në pikat kufitare në veri, për çka u ndava mirënjohje me plot zemër. Këta heronj janë gjithmonë aty ku jemi në rrezik. Këta heronj e kanë jetën në rrezik dhe lëndimet i kanë më afër se sa këmishën e trupit”, ka shkruar Bahtiri.

Ai në llogarinë e tij ka dhënë premtimin më të veçantë deri tash për këtë sektor.

“Andaj, nga viti 2022, SECILI ZJARRFIKËS do ta ketë sigurimin shëndetësor të paguar nga Komuna e Mitrovicës”, duke shpalosur që do të investojnë në një zjarrfikëse me shportë që mbërrin në katet e larta.