Njëmbëdhjetë vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është shënuar në komunën e Mitrovicës me një varg aktivitetesh, që kishin filluar disa ditë më parë.
Në Ditën e Republikës së Kosovës, kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari Faruk Mujka, me bashkëpunëtorë, kanë filluar agjendën e tyre me vënien e buqetave me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Shipol.
Pas vënies së kurorës, kryetari Bahtiri me bashkëpunëtorë ka bërë nderime tek varri i secilit dëshmorë, ku familjarëve të tyre që ishin aty, ua ka urua Ditën e Pavarësisë, duke vlerësuar lartë kontributin e jashtëzakonshëm të dëshmorëve të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jo vetëm ju familjarë të nderuar, por të gjithë qytetarët e komunës dhe të Kosovës janë krenarë me bijtë tuaj që nuk kursyen gjakun e tyre për çlirimin nga pushtuesi dhe për të na sjell lirinë që ne sot po e gëzojmë”, tha kryetari Bahtiri.







