Bahtiri ia dorëzon Veselit peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka dorëzuar peticionin që ka për qëllim bashkimin e Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut në Kuvendin e Kosovës.

Bahtiri ka thënë se ka qenë i detyruar t’i drejtohet Kuvendit me këtë peticion pasi që nga dorëheqja e kryetarit të Mitrovicës veriore, kjo komunë po udhëhiqet nga strukturat paralele, raporton KTV.

Ai i tha kryeparlamentarit se pret që ky peticion të shqyrtohet, derisa ky i fundit tha se peticioni do të trajtohet me seriozitet. Tha se peticioni menjëherë do të shkojë në komisionin parlamentar për verifikim.

Veseli ka deklaruar se Mitrovica do të mbetet përgjithmonë e Kosovës dhe qytetarët serbë janë shtetas të Kosovës.

“Nuk duhet të ketë eskalim të situatës. Mitrovica është qytet i mitrovicasve, është komunë dinjitoze, grupe që nuk kanë interes për Mitrovicën të mos manipulojnë”, ka thënë Veseli.