Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, sot ia ka dorëzuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, peticionin për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, me gjithsej 16.594 nënshkrime.

Duke i bërë thirrje kryeministrit që këtë peticion ta merr me shumë seriozitet, Bahtiri tha se kjo iniciativë ka gjetur përkrahjen edhe presidentit Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe liderëve tjerë.Ai u shpreh se mitrovicasit janë të zhgënjyer me ndarjen e qytetit të tyre, andaj presin një vendim të shpejtë nga Kuvendi i Kosovës. Pas takimit me presidentin Thaçi, Bahtiri po ashtu tha se këtë peticion me mbi 16 mijë nënshkrime do t’ua dorëzojë edhe grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

I pari i Mitrovicës ia ka bërë me dije kryeministrit dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal se Mitrovica është e bashkuar, dhe sa më shpejt në mënyrë administrative të shfuqizohet vendimi për këtë qytet. Kujtojmë që ditë më parë, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri peticionin për bashkimin e Mitrovicës ia ka dorëzuar edhe kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Peticioni për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave nuk ka gjetur mbështetje në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal. Kjo ministri, në mendimin e publikuar rreth kësaj çështjeje, ka refuzuar kërkesën e qytetarëve të Komunës së Mitrovicës jugore për bashkim me atë veriore.